Diana Qerimi: Jo të gjithë mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti i njeriut

31 Dhjetor, 2018 - 1:30 pm


Krijimi i veshjeve është një art në vete, aty bashkohen shumë elemente duke filluar nga prerjet, ngjyrat, materialet e të gjitha këto duke u munduar të kombinohen për trupin dhe karakterin e një personi të caktuar. Por, kur dizajneri arrin në atë pikë sa për të veshja të marrë tjetër kuptim duke u kombinuar kështu edhe me personalitetin e njeriut, atëherë ai dizajner ka hyrë tërësisht në botën e këtij arti krijues shumë të veçantë. Në këtë pikë tashmë ka arritur edhe disenjatorja Diana Qerimi e cila suksesshëm po e vazhdon rrugën në botën e artit të bukur, e nga ku po sjellë veshje të cilat ndonëse konsiderohen si më të thjeshta për nga dukja, ato janë magji në vete. Të thjeshta por të realizuara me shumë detaje e ngjyra të kombinueshme, veshjet e Dianës arrijnë të tërheqin gjithmonë vëmendje. Dizenjatorja Qerimi në një intervistë për KultPlus ka shpalosur më shumë rreth këtij arti, trendeve të fundit, mënyrës së krijimit, por ajo flet edhe për punën e kolegëve të saj dhe konkurrencën.

Jeta Zymberi

KultPlus: Keni arritur të identifikoheni në mesin e shumë dizajnerëve dhe të cilësoheni si më e mira, sa ka qenë e vështirë të arrini në këtë pikë?

Diana Qerimi: Sigurisht që konkurrenca të bën që asnjëherë mos të dorëzohesh dhe gjithmonë të kesh vullnet për të sjellë gjëra të bukura dhe ndryshe prej të tjerëve. Por gjithashtu shkakton edhe lodhje e cila veç kur e shikon suksesin në fund tejkalohet.

KultPlus: Cilat janë pikat tuaja më të forta si dizjanere?

Diana Qerimi: Unë si dizajnere i kushtoj rëndësi të madhe prezantimit të koleksioneve që unë sjell, edhe gjithmonë kujdesem që vajzat që e pëlqejnë punën time të kenë çdo sezonë koleksione të reja nga brendi DQ.

KultPlus: Çka ju diferencon prej kolegëve?

Diana Qerimi: Për momentin e kam përshtypjen që në përgjithësi po i kushtojnë rëndësi shumë fustaneve ekstravagante (me gurë, rruza e pupla), ndërsa unë po mundohem që sa më shumë të ju ikë këtyre kreacioneve, meqë unë edhe njihem pak më shumë me thjeshtësinë e përkushtimin në detaje e ngjyra.

KultPlus: Ju tashmë si një dizajnere me përvojë, a keni arritur në pikën që sapo të shihni klientin për të cilin do të krijoni të ju vijë edhe ideja se çfarë do të krijosh. Sa është e rëndësishme që veshja t’i përshtatet njeriut edhe me personalitet dhe sa e praktikoni ju këtë gjë?

Diana Qerimi: Asnjëherë nuk mundesh që me shikim të parë të dish saktësisht se çka dëshiron klienti sepse jo gjithmonë pamja e jashtme është ajo çka e paraqet dhe prezanton klientin. Sigurisht që diskutojmë rreth personalitetit të asaj se qysh ajo ndihet më mirë e pastaj flasim edhe për detajet se qysh do t’i dalë edhe trupi më shumë në pah. Gjithmonë mundohem që pjesët më të mira të ja vë në pah dhe ato jo të përshtatshmet të fshihen në mënyrë që si përfundim gjithçka të duket perfekte dhe të nxjerrim bashkë më të mirën e mundshme. E kam shumë me rëndësi  që çdo vajze me ju përshtatë veshja me personalitet.

KultPlus: A ndodhë që klienti të ju inspirojë për kreacione?

Diana Qerimi: Po, shumë shpesh kam kliente me energji super pozitive që më japin vullnet dhe kreativitet për të punuar e mandej ato detaje edhe i përsëris e i përpunoj për koleksionet e ardhshme.

KultPlus: A mendoni që njeriu duhet të vishet sipas trendeve të fundit edhe nëse nuk i shkon për stili, apo secili duhet të vishet sipas stilit të tij dhe t’i qëndrojë besnik asaj që i shkon më shumë?

Diana Qerimi: Jo të gjithë njerëzit mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti dhe pastaj trendi. Por gjithashtu mund të them që njeriu me karakterin e tij ka aq shumë fuqi, që sjellin risi të vazhdueshme në trendet botërore.

KultPlus: Cili është trendi i këtij viti?

Diana Qerimi: Këtë vit kemi me u kënaq tu shiku ngjyra të shumta duke e veçuar ngjyrën portokalli të ndezur, materialet me print dhe kombinimin e shumë materialeve në një veshje.

KultPlus: Cilin kreacion tuajin do ta veçonit dhe pse?

Diana Qerimi: Nga të gjitha kreacionet do të veçoja koleksionin “INSECT COLLECTION“, kjo për arsye se gjithçka ka filluar aty.

KultPlus: Për cilin artist botëror do të dëshironit të krijoni veshje?

Diana Qerimi: Do të doja shumë të krijoja veshje për artisten Rihanna sepse gjithçka që ajo vesh e bën të duket edhe më unike me prezantimin e saj. Kjo do të ishte një dëshirë e madhe e imja.

KultPlus: Puna juaj është shumë inspiruese për të tjerët, po ju nga inspiroheni?

Diana Qerimi: Inspirimin shumicën e kohës e marr kur udhëtoj, në gjërat e bukura që i shoh e i prek, po gjithashtu edhe në trendet e fundit.

KultPlus: Nuk jeni e fokusuar vetëm në një linjë të rrobave, kreacionet tuaja janë pothuajse gjithëpërfshirëse, po ku e gjeni ju veten më shumë?

Diana Qerimi: Mundohem që secila vajzë të gjej pak a shumë veten në veshjet e mia, qoftë ato të përditshme ose ato solemne. Unë shpeshherë kam vullnet më të madh për të krijuar sende të përsëritshme ndoshta që e kam vetëm një periudhë të caktuar e të shkurtër që mundem me i kriju ato.

KultPlus: Cili është mendimi juaj për kolegët, sa e vlerësoni punën e tyre?

Diana Qerimi: Jam shumë e lumtur që vendi jonë ka krijuar kaq shumë artistë e dizajnerë, sigurisht që e mira e kësaj është që secila vajzë e gjen veten te njëri prej neve.

KultPlus: Cili prej dizajnerëve shqiptarë vlen sipas jush?

Diana Qerimi: E vlerësoj artin e secilit që mundohet me paraqit në mënyrën e vet.

KultPlus: Cila është arritja jote më e madhe deri më tani?

Diana Qerimi: Arritja më e madhe është kur shoh kaq shumë vajza që e adhurojnë punën që unë bëj.

KultPlus: Cila është ëndrra jote më e madhe?

Diana Qerimi: Ëndrra ime është që brendi DQ të ketë depërtimin ndërkombëtar e të sjellë çdo vit sfilata të përmasave ndërkombëtare.

KultPlus: Me pak fjalë, si do ta përshkruani vitin që po e lëmë pas?

Diana Qerimi: Viti 2018 ka qenë një vit me shumë punë e përkushtim, shpresoj edhe viti 2019 të vijë me shumë punë e suksese të reja. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme