Die Welt: Kryeministri Rama mes politikës dhe artit

24 Janar, 2019 - 9:45 pm

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për prestigjiozen gjermane “Die Welt” ka folur për ndryshimet në qeveri, për rolin e tij si Kryeministër në drejtimin e vendit, integrimin në Bashkimin Europian, pasionin për pikturën dhe sportin.

“Rama është artist dhe kryeministër. Ai është në krye të qeverisë shqiptare prej afro gjashtë vjetësh. Sot, ai po ekspozon veprat e tij në Berlin, ndërsa flet për “dashurinë” e tij, për Kancelaren gjermane Merkel, si dhe perspektivën e zymtë të Europës”, e nis shkrimin e saj gazeta gjermane.

Prestigjiozja “Die Welt”, shkruan se “si kryetar i bashkisë së Tiranës, Edi Rama leu plot ngjyra fasadat e godinave gri të qytetit. Vizatimet dhe pikturat e tij të panumërta janë pasqyrim i jetës së përditshme në konferenca të gjata. Kryeministri 54-vjeçar vlerësohet i suksesshëm me qytetarët e tij. Në vitin 2017, Partia e tij Socialiste fitoi shumicën absolute”.

“Politikani artist u përfaqësua edhe në Bienalen e Venecias, ndërkohë që ka ekspozuar pikturat e tij edhe në Nju-Jork. Tashmë, ai do të hapë një ekspozitë në Berlin”, vijon më tej shkrimi.

I pyetur se çfarë ka bërë sot, në cilësinë e Kryeministrit, Edi Rama thekson se “kam ndryshuar disa ministra, thuajse 70% të tyre. Tani që flasim, kemi thuajse një qeveri të re”.

“Herë pas here nevojiten energji të reja, për lojtarë të rinj në fushë, në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtin gabim që bëri kombëtarja gjermane, pasi fitoi Kupën e Botës”, shprehet Rama.

Duke folur për ndryshimin e sportit me artin, Rama thotë se “për mua, që të dyja janë ekzistenciale. Është e pamundur t’i krahasosh. Si artist punoj thuajse tërësisht vetëm, pasi është diçka e brendshme. Ndërsa në sport punoj jashtë me të tjerët, pasi dua të arrijmë diçka të përbashkët”.

I pyetur nga “Die Welt” sa përshtaten të qënurit njëkohësisht protagonist i botës së artit dhe atë të Kryeministrit të një vendi si Shqipëria, Rama thotë se “unë e shoh veten si një refugjat në tregun e artit. Hyj e dal herë pas here prej tij. Unë nuk kam një vend të përhershëm në biznesin e artit. Ai më kujton shumë gjëra të politikës. Çdo gjë është shumë e ngushtë atje. Por edhe një pikëtakimi me njerëz të mëdhenj dhe mundësish të pakufishme”.

Në ekspozitën e titulluar “Puna” që do të hapë javën e ardhshme në galerinë Carlier/ Gebauer në Berlin, Kryeministri tregon se do të ekspozojë letra të pikturuara muri, skica, vizatime, skulptura.

“Për herë të parë do të ekspozoj edhe shënime të një dite normale pune në zyrë. Dhe në Berlin natyrisht nuk do të mungojnë edhe punimet që kam krijuar gjatë takimeve të mia këtu në kryeqytetin gjerman”, shprehet Rama./A.T.SH/ KultPlus.com

Të ngjajshme