Disenjatoret Natyra&Diellza sjellin ‘Bridal Collection S/S 24’, perlat si element kryesor i koleksionit

13 Dhjetor, 2023 - 1:31 pm

Jeta Zymberi

Disenjatoret Natyra&Diellza, një brend i njohur tashmë në skenën e modës, kanë sjell koleksionin e tyre të ri të fustaneve të nusërisë për sezonin e verës 2024, shkruan KultPlus.

Ky koleksion shpalos përkushtimin dhe pasionin e tyre në krijimin e veshjeve të mrekullueshme dhe të veçanta për çdo nuse.

Bridal Collection S/S 24 ka sjellë një bashkëveprim të materialeve të tilla si sateni, organtini dhe materiale të qëndisura me perla. Dizenjatoret kanë përdorur këtë gamë të pasur të materialeve për të siguruar një kombinim të shkëlqyeshëm të elegancës dhe luksit.

Me një vëmendje të veçantë sidomos tek detajet, koleksioni synon të nxjerrë në pah figurën e gruas në mënyrën më të mirë. Perla, si një element kryesor në këtë koleksion, sjellë një ndjesi moderne dhe elegante.

“Nëpërmjet këtij koleksioni jemi munduar që si çdo herë të nxjerrim figurën e gruas në formën më të mirë. Me detaje të perlave, ndërthurur në mënyrën më të mirë me materialin e satenit, jemi munduar që nuseve t’ju japim një pamje moderne dhe shumë fine”, shprehen disenjatoret.

Nga fustanet me linja të buta deri te ato me detaje të ndërthurura me gur, Natyra&Diellza kanë sjellë një koleksion të pasur dhe të shumëllojshëm që plotëson preferencat e çdo nuse.

Disenjatoret gjithashtu kanë veçuar një pjesë të koleksionit, ato fustane që janë qëndisur me gurë, duke ofruar një zgjedhje për nuset që dëshirojnë një pamje më ekstravagante. Materialet transparente janë përdorur gjithashtu me kujdes për të shkëlqyer dhe për të sjellë një ndjesi të jashtëzakonshme sensualiteti dhe kujdesi në çdo detaj.

“Perlat janë i vetmi detaj që është përdorur në çdo fustan sepse mendojmë që e përfaqëson më së miri një vajzë në ditën e martesës. Shpresojmë që ja kemi arrit të ju lehtësojmë sado pak zgjedhjen e fustanit të ëndrrave vajzave me koleksionin tonë”, thonë tutje disenjatoret.

Krejt për fund, Natyra&Diellza shprehen se i kanë kushtuar shumë kohë dhe mund krijimit të këtij koleksioni dhe janë të kënaqura me rezultatin final.

Me shpalljen e Bridal Collection S/S 24, Natyra&Diellza kanë arritur të bëjnë zgjedhjen e fustanit të ëndrrave më të lehtë për çdo vajzë që është duke planifikuar ditën e saj të martesës. Ky koleksion shfaq një kombinim perfekt të traditës dhe modernitetit, duke e bërë çdo fustan një vepër arti që përcjellë bukurinë dhe elegancën në çdo hap. / KultPlus.com

Të ngjajshme