Disenjatorja Erza Avdiu sjellë koleksionin e saj të parë “Double Trouble” (FOTO)

28 Nëntor, 2018 - 9:15 pm

Jeta Zymberi

Qysh në fëmijëri secili ka ëndrrat e tij, disa prej tyre më kohë zbehen e gjithmonë një prej tyre vetëm sa vjen e theksohet më shumë, kështu duke të bërë ta kuptosh që ajo ëndërr një ditë do të bëhet ndoshta profesioni yt, shkruan KultPlus.

Kështu pak a shumë gjithçka nisi edhe për disenjatoren e re Erza Avdiu e cila qysh në moshën 10 vjeçare ka filluar të skicojë pa reshtur, gjithmonë me ëndrrën që një ditë të ketë linjën e saj të rrobave.

“Si e vogël kam prerë dhe qepur rrobat e mia deri arrija të krijoja atë që doja. Çdo gjë që di e kam mësuar dhe praktikuar e vetme, kam qenë dhe vazhdoj të jem person qe mëson vetëm, prandaj nuk kam vijuar asnjëherë ndonjë kurs në këtë lëmi”, ka treguar Erza për KultPlus,e cila tashmë vijon shkollimin në shkollën e mesme “Don Bosko” në vitin e fundit dhe pretendimet e saj janë që të vazhdojë studimet në Universitetin e Modës në Milano.

Por kohëve të fundit numri i dizajnerëve në vendin tonë është rritur dukshëm, andaj edhe depërtimi është më i vështirë, por Erza nuk e sheh të tillë, për të është diçka sfiduese dhe e bukur.

“Të mundohesh të hysh në një treg që veçse ka shumë emra s’është aspak e lehtë ditëve të sotme, por kjo e bën më të bukur akoma sepse atëherë suksesi ka më shumë vlerë dhe mua më pëlqen të ndjejë pak konkurrencë, se më bën të nxjerr më të mirën time. Moto kam frazën “The future is handmade” apo “E ardhmja është punëdore” çdo gjë që mbanë e ardhmja varet
nga puna ime”, ka treguar tutje ajo.

Punëtore, ambicioze dhe kreative, këto janë armët e forta të Erzës si dizajnere e me të cilat ajo pretendon të futet fuqishëm në treg.

“E urrej të zakonshmen, mundohem të sjell diçka sa më të veçante dhe artistike por gjithmonë në hapë me trendin”, ka thënë Erza.

Brendi që ajo sjellë quhet “Erzhè”, ky është emri artistik me të cilin ajo na prezantohet.

Për të nisur karrierën e saj si dizajnere, Erza ka vendosur të sjellë dizajne të një natyre më të butë dhe me ngjyra të freskëta.

“Dua të bëj një femër të ndihet e veçantë dhe e sigurt nën dizajnet e mia, ideja është të krijojë diçka unike që të bën të ecësh kokëlartë dhe pa frikë se do rastisësh të ketë edhe dikush po të njëjtën veshje, mund të bëj diçka të ngjashme për dikë tjetër që i përket të njëjtës linjë por asnjëherë dy veshje të njëjta. “Konfidenca” është aksesori më i bukur i një femre dhe këtë dua të nxjerrë në pah”, ka theksuar disenjatorja Avdiu për KultPlus.

Koleksionin e sapo sjellë, ajo e ka filluar me disa dizajne si fustan të gjatë, fustan të shkurtër dhe pantallona. Këto dizajne sipas Erzës veçohen sepse secila ka vetëm dy ngjyra, një nga brenda dhe një jashtë.

Koleksioni titullohet “Double Trouble” pasi që ngjyrat janë dyshe dhe materialet janë të qepura në mënyre të dyanshme.

“Kam përdorur vetëm material sateni pasi që hynë në top 3 materialet më “luksoze” dhe të përdorura në botë, ndërsa ngjyrat janë harmonike dhe shumë dominante, ngjyrë ulliri dhe e verdhë e shkëlqyeshme është një ndër kombinimet e mia të preferuara”, ka treguar disenjatorja tutje.

Veshjet e këtij koleksion Erza ka vendosur t’i prezantojë vetë, duke i pasur format fizike përfekte dhe një bukuri të rrallë, gjithçka është shkrirë në mënyrë përfekte.

“Nuk ka qenë në planet e mija që të filloja një karrierë si modele asnjëherë. Por doja që të isha unë ajo që prezantoja atë që kam krijuar vetë, është ndjenjë e papërshkrueshme të sjellësh në jetë një skicë e sidomos të jesh po ajo që e prezanton atë”, është shprehur Erza rreth ndjenjës së të qenit edhe modele e kreacioneve të veta.

Por ky koleksion është vetëm një pikë e vogël në oqean për Erzën, pasi që për të ky është vetëm fillimi, duke pasur krahë edhe moshën e re, ajo pa hezitim premton që do të sjellë shumë në botën e modës.

Krejt për fund Erza ka treguar për KultPlus se tashmë ka filluar përgatitjet për koleksionin e radhës vjeshtë/dimër i cili pritet të lansohet shumë shpejt.

Fotografitë e koleksionit janë realizuar nga fotografja Fioralba Kryemadhi. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme