Disenjatorja shqiptare në revistë prestigjioze

25 Prill, 2019 - 7:30 pm

Alberina Haxhijaj

Sara Shala e cila jeton dhe vepron në New York po vazhdon që të tërheqë vëmendjen e revistave dhe personaliteteve të njohur të fushës së modës përmes krijimeve të saj. Së fundi puna e saj është shpalosur edhe në revistën e njohur InStyle, shkruan KultPlus.

Revista InStyle,e cila është lidere në fushën e modës shfaq vathët e njohur si “summer hoops” të cilët janë pjesë e koleksionit të fundit të aksesorëve, realizuar nga Sara Shala.

Në numrin më të ri të kësaj reviste ka pozuar aktorja dhe modelja Barbie Ferreira, e cila ka mbajtur vathët e krijuara nga shqiptarja, Sara Shala.

Ferreira është e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është modele e brendeve të njohura si Aerie, Adidas, Asos, Forever 21, H&M, vitin e kaluara ka qenë në mesin e 30-të personaliteteve të zgjedhur nga revista “Time” si adoleshentët më me influencë. Së shpejti Ferreira do të jetë pjesë e një emisioni të ri në HBO.

Kjo nuk është hera e para që krijimet e kreatores shqiptare Sara Shala bëhen pjesë e revistave të njohura. Krijimet e saj janë shfaqur edhe në revista të tjera të njohura si Cosmopolitan, Vogue, Marie Claire, Elle, Harper’s Bazaar, REFINERY29, Nylon, Washington Post, Essence, Inked Mag, Untitled magazine / KultPlus.com

Të ngjajshme