Disenjatorja shqiptare prezanton koleksionin e saj në eventin e njohur botëror CHIO Aachen

18 Korrik, 2019 - 2:00 pm

Jeta Zymberi
Fotografitë e koleksionit: Anna Helm dhe Yulia Raznikov

Prezantimin e parë si disenjatore ajo e kishte në Paris, ku shpalosi koleksionin e saj të parë të titulluar në gjuhën shqipe “Enigmë”, shkruan KultPlus.

Emërtimi i këtij koleksioni në gjuhën shqipe ka një rëndësi të madhe për disenjatoren shqiptare, pasi që, vetë Ariana Krasniqi ka treguar se ky emërtim ka për qëllim që ajo të identifikohet në pasarela si një disenjatore shqiptare.

Por, ajo tashëm ka arritur të bëjë edhe prezantimin e dytë të koleksionit, kësaj radhe në Gjermani.

Ishte turneu ndërkombëtar i kalërimit – CHIO që mbahet me vite në Aachen të Gjermanisë e që kësaj radhe përqafoi edhe koleksionin e disenjatores shqiptare. “Unë kam lindur në Aachen edhe e njoh mirë këtë event sepse jam rrit me të, andaj pjesëmarrja ime këtu ka qenë nderë për mua”.

Krasniqi studimet i ka përfunduar në Düsseldorf në fakulltetin ‘Fashion Design Institut’. Si çdo vit, CHIO e ka një vend partnerë, kësaj radhe ishte Franca. Duke qenë edhe vendi i modës, ajo ka zgjedhur fakultetin e dizajnit, aty ku i ka përfunduar studimet edhe Ariana, për tu përfaqësuar në këtë event.  

“E kam pasur fatin që jam e Aachenit edhe e kam pas mundësinë edhe ta organizoj këtë event. Domethënë nuk isha vetëm pjesëmarrëse me dizajnët e mija, por edhe organizatore. Për mua ky prezantim ka qenë shumë i veçantë. Të pjesë e një sfilate kaq të madhe, në një event ndërkombëtar që e shikojnë mija njerëz dhe transmetohet live në televizion, është me të vërtetë diçka e bukur”, thotë ajo për KultPlus.

Disenjatorja tregon se para dhe pas kësaj sfilate ka pritur shumë komentet të mira, sidomos për punën e dorës në fustane. Ngjyrat që ka përdorë në këtë koleksion gjithashtu kanë tërhequr vëmendje.

“Eventi CHIO është diçka që nuk mund ta përshkruaj, kur e shikon një stadium plot njerëz, e ku prezent ishin edhe shumë fytyra publike, është thjesht e mrekullueshme dhe gjithashtu një mundësi e mirë për secilin pjesëmarrës aty”.

Ariana Krasniqi

E pyetur nga KultPlus për planet në vazhdim, Krasniqi thotë: Koleksioni ENGIMË është pritur shumë mirë si nga shqiptarët ashtu edhe nga vendet e tjera. Besoj që shumë shpejt do të sjell koleksionin e ardhshëm si një disenjatorë e pavarur. Shpresoj që do ta kem përkrahjen e shqiptarëve dhe përmes modës dhe me stilin tim ti tregoj botës se edhe Kosova është vend i modës dhe jo vetëm Franca dhe Italia.  / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme