Dita e Viktimave të Komunizmit shënohet me ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar

23 Gusht, 2018 - 3:34 pm

Përkujtohet në Tiranë Dita Europiane e Kujtesës së viktimave të komunizmit, ndërsa Muzeu Historik Kombëtar prezantoi ekspozitën e hapur “Pantallonat e Gjon Tunxhit”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.

Pantallonat e Gjon Vatnikaj (Tunxhi) janë të arnuara me fije flokësh të nënës së tij, Mrika Tunxhi, gjatë kohës së internimit.

Ky objekt ekspozohet në Pavijonin e Terrorit Komunist në Shqipëri, i cili gjendet në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar. Në pavijon paraqiten dokumente, fotografi dhe rreth 130 objekte historike të vendosura në linjën tematiko-kronologjike për periudhën 1944-1990.

Interes paraqesin fotografitë kushtuar incidentit në Ambasadën Sovjetike dhe të gjyqeve të zhvilluara ndaj deputetëve liberalë të parlamentit shqiptar. Në pavijon është paraqitur edhe përndjekja politike ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë. Në pavijon vizitorët do të gjejnë një hartë ku pasqyrohen burgjet, kampet me punë të detyruar si dhe kampet e internimit në territorin e shtetit shqiptar.

Në Shqipërinë e asaj kohe gjendeshin spitale-burgje dhe spitale psikiatrikë ku “kuroheshin” të akuzuarit politikë. Atmosfera brenda modelit të një qelie të asaj periudhe padyshim që krijon emocione tek vizitorët./ata

Të ngjajshme