“Dita Natë, Nata Vjet” ekspozitë nga Haveit në GKK

9 Janar, 2024 - 5:42 pm

“Me f’tyrë t’mbulueme nën harrnat e qenisun,
mburojë m’u bá shtirja, andrrën teme t’gjatë nuk po e k’putka
as hija e jote mbi tá”.


Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita “Dita Natë, Nata Vjet” e koletivit HAVEIT, kuruar nga Lulzim Zeqiri, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Dita Natë, Nata Vjet” si qasje konceptuale synon të hulumtojë më thellë natyrën e njeriut në kohë dhe në hapësirë të caktuar. Fillimisht e frymëzuar nga e kaluara e afërt e cila ruan kujtime të fuqishme të cilat në narrativën vizuale marrin një formë gjuhe univerzale, duke u nisur nga tregime personale, ideja bazë e këtij instalacioni përqendrohet ne trajtimin artistik të gjendjeve të caktuara fizike të trupit, konkretisht momentet e gjumit dhe aspektin e tij psikologjik, akoma të panjohur plotësisht, ëndërrimin.

Ky intervenim na fton në një dialog i cili fillon në hapësirë labirinti që paralajmëron parahati. Interaksioni me veprën imersive e zbulon edhe prejardhjen e idesë, ëndrrën, jo vetëm si moment, por edhe si vizion, si dëshirë, si liri, ëndërrën që në të vërtetë është kurth që mjeshtërisht na joshë me anë të butësisë dhe rehatisë: njeriu hyn nën mbulojë të një realiteti të imponuar. Materiali i gatshëm, jorgani, me madhësi të ekzagjeruar, synon të ironizoj me ëndrrën për të ardhmen dhe mënyrën e të përceptuarit tonë.

Forma e këtij interaksioni artistik me veprën në mënyrë delikate dhe lozonjare ngre pyetjet thelbësore mbi teorinë e drejtësisë dhe praksën e lirisë, e që të dyja tingëllojnë si kureshtje fëmijërore, por që këmbëngulin në përgjigje me kokë rebele. Ndoshta fillet e kësaj parehatie brenda mikrokosmës tonë vijnë nga lindja e pronës me rrethojat e saj, përmes mbretërive, profetëve, krenarisë, poshtërimit, deri te vetmia e turmës bashkëkohore.

Intervenimet me esktetikën e së drejtpërdrejtës, duke mos qëndruar indiferent ndaj të padrejtës, e shndërrojnë bërthamën e kësaj praktike artistike në vlerë të dinjitetit njerëzor. Haveit, guximshëm e ballafaqojnë ndërgjegjen me vrazhdësinë e patriarkisë dhe me impulset negative që prodhon vuajtja lokale në nivel global. Tashmë të njohura si grup aktiv në skenën e artit, me këtë ekspozitë që trajton ëndërrën si pjesë tonën më intime, vazhdojnë tutje mihjen përbrena qenies sonë, duke ngritur pyetje thelbësore për shoqërinë.

Ekspozita hapet të premten, 19 janar, nga ora 19:00 deri në 21:00. /KultPlus.com

Të ngjajshme