Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet me ekspozitën personale të Ernest Kabashit në Galerinë Qahili

28 Maj, 2025 - 3:15 pm

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet me ekspozitën personale të Ernest Kabashit në Galerinë Qahili, që hapet me 1 qershor nga ora 11:00.

Kjo ekspozitë zhvillohet në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe është një festë e artit, imagjinatës dhe kreativitetit të fëmijëve.

Gjithçka nisi një ditë vere, kur Ernesti, sapo ishte kthyer nga kopshti, filloi të vizatojë një rrëfim në formë libri. Pas disa ditësh, kërkoi një libër ilustrues nga Eric Carle, që për habi, ishte thuajse identik me vizatimin që kishte krijuar vetë në shtëpi. Aftësia e tij për të treguar histori përmes ngjyrave dhe formave, tashmë e ka çuar në një arritje të veçantë artistike.

Pak para ditëlindjes së tij të dhjetë, Ernesti krenohet me çmimin e parë të fituar në konkursin e organizuar nga Ambasada e Japonisë në Shkup, si dhe me punimet e tija të ekspozuara në shkollën ILG në Prishtinë, ku e vijon mësimin në klasën e katërt.

Me frymëzim nga galeritë e mëdha të botës, nga Nju Jorku dhe Vjena, te Athina, Madridi, Prishtina dhe Shkupi, Ernesti sjell një qasje unike në art. Vizatimet e tij abstrakte mbajnë tituj të guximshëm si “Pula e frikuar në terr” dhe “Njeriu që çmendet”, dhe janë të mbushura me ndjenja të thella, sinqeritet dhe një stil krejtësisht personal. Ai vizaton botën që ne të rriturit, ndoshta, e kemi harruar.

Në kuadër të ekspozitës, të gjithë fëmijët janë të mirëseardhur të marrin pjesë në një punëtori krijuese, që do të mbahet gjatë ditës në Galerinë Qahili, një mundësi për të krijuar dhe për të bashkëvepruar me artin në një atmosferë të ngrohtë dhe inspiruese./ KultPlus.com

Të ngjajshme