Dizajnet e veçanta të “Mask On”, një trend i sjellë nga vëllezërit Kelmendi

2 Mars, 2019 - 8:30 pm

Alberina Haxhijaj

Guri Kelmendi një 20 vjeçar i pasionuar pas dizajnin grafik, pasionin e tij e ka shndërruar edhe në një biznes. Guri së bashku me vëllain e tij Ylli Kelmendi, 19 vjeçar kanë krijuar “Mask On”, një brend i cili bënë modifikimin e patikave duke ju dhënë atyre një pamje krejtësisht ndryshe përmes dizajneve unike të krijuara nga vëllezërit Kelmendi, shkruan KultPlus.

Guri Kelmendi tregoi për KultPlus se ai vite më parë ka filluar që të merret me dizajn grafik, duke modifikuar dizajnet e gatshme dhe duke ju shtuar elemente unike, derisa ka vendosur që të njëjtën që të bëjë edhe me patika. Ai thotë se në mënyrë figurative i maskon ato me art dhe pikërisht nga kjo ka ardhur edhe ideja për Mask On e cila është krijuar në shtator të vitit të kaluar.

“Inspirimet dhe idetë të cilat i përdori në dizajne me vijnë nga jeta e përditshme, nga trendet e kohës, storiet e ndryshme virale në internet, muzika e shumë elemente të cilat me rrethojnë në përditshmëri”, tregoi Guri, i cili theksoi se gjatë dizajnimit marrin parasysh edhe preferencat e klientit.

Sipas tij, djemtë por edhe vajzat e të gjitha moshave mund të gjejnë të “Mask On” dizajne të veçanta e të cilat do të jenë unike e që shfaqin edhe elemente të karakterit e të preferencave që mund të kenë ata. Bazuar në dizajnin e zgjedhur, Guri dhe Ylli i përveshen punës për të ju dhënë pamje të re patikave përmes një procesi i cili mund të zgjasë nga 4 deri në 8 ditë. Guri dhe Ylli kanë dizajnuar patika për artistët kosovarë si Buta, Azet por edhe për artistin Zuna e të tjera personalitete.

“Materiali apo patika më e përdorur për momentin nga ne është modeli air force 1 nga Nike por ne i dizajnojmë të gjitha modelet. Mjafton që të na sjellin apo të na tregojnë se cili model e dëshirojnë dhe ne në bashkëpunim me klientin bëjmë edhe modifikimin. E rëndësishme është që jemi të hapur ndaj ideve  dhe kjo bënë që të prodhojmë dizajne unike për secilin klient”, theksoi Guri Kelmendi. Për të porositur patikat e juaja me dizajn të veçantë mund të ndiqni faqen e “ Mask On” në Facebook, në Instagram apo në website./ KultPlus.com

Të ngjajshme