6 Gusht, 2025 - 10:45 am
Shkruan Albert Vataj
Në kryeveprën enigmatike të artit të Rilindjes së Artë, Mona Lizën e Leonardo Da Vinçit, ndërsa syri i shikuesit ndalet fillimisht te buzëqeshja që lëkundet mes ndjeshmërisë dhe fshehtësisë, dhe te vështrimi që ndjek pa u lëvizur, është një tjetër detaj që, në heshtje, grish vëmendje të thellë: duart.
Të kryqëzuara butësisht mbi njëra-tjetrën, ato nuk janë vetëm një element formal i kompozimit, ato janë një përmbajtje më vete, një mesazh i fshehur në qetësinë e figurës. Pozicioni i tyre, me njërën dorë të vendosur me kujdes mbi tjetrën, krijon një pikë gravitacionale të pazëshme, peshoren shpirtërore të gjithë portretit, ku qenia e saj qëndron pezull mes tokës dhe qiellit, mes përjetësisë dhe çastit, mes trupores dhe shpirtërores.
Në këtë ekuilibër delikat, Leonardo ka vendosur solemnitetin e një prehjeje të përmbajtur, një qetësi që tingëllon, një brishtësi që të fton të vështrosh më thellë. Nuk ka tension në duart e saj. Muskujt janë të liruar, pulsi ndjehet i heshtur, lëvizja është ndalur në kufijtë e një meditimi të përjetshëm.
Duart e Mona Lizës janë një varg poetik i vizatuar me penel, janë një gjendje emocionale, e përmbajtur por jo e ftohtë, e heshtur por jo e plogët. Leonardo, mjeshtër i anatomisë, i dritës dhe i ndjeshmërisë, nuk i modeloi thjesht si pjesë fizike, por si burim sensualiteti të heshtur, si çelës i një enigme që nuk shprehet dot vetëm përmes buzëqeshjes.
Këto duar, të kryqëzuara jo nga rastësia, por nga meditimi, bartin gjithë peshën e asaj që nuk thuhet. Ato nuk kapin, nuk tregojnë, nuk kërkojnë, ato presin. E është pikërisht kjo pritje që i jep portretit thellësinë e tij të pakapshme. Ato janë heshtja që flet më shumë se fjalët, më shumë se vetë buzëqeshja./KultPlus.com