Dy hapësira të reja ekspozimi në shtëpinë-muze të piktorit Vangjush Mio

18 Maj, 2022 - 9:15 pm

Në shtëpinë-muze të Vangjush Mios në Korçë do të hapen edhe dy hapësira të tjera për ekspozimin e më shumë punëve të tij si dhe sende personale.

Lajmi u bë i ditur nga Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve kam kënaqësinë të ndaj projektin për restaurimin e plotë të Mysafiranes dhe Shtëpisë Muze të Piktorit Vangjush Mio, si dhe hapjen e dy hapësirave për ekspozimin e më shumë punëve të tij si dhe sende personale”, tha Koki.

Sipas tij, ky kompleks është unik në llojin e vet dhe nga më të rrallët në Korçë.

Banesa-muze e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës. Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze.

Gjatë karrierës 40-vjeçare, Vangjush Mio realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura.

Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme