Edhe një kryevepër e Picassos në ankand

26 Shkurt, 2018 - 9:58 am

Piktura e njohur si “Gruaja me beretë dhe fustan me kubëza” është prezantuar tashmë në prag të ankandit të madh.

Një kryevepër e piktorit të madh spanjoll, Pablo Picasso do të dalë në shitje për herë të parë në një ankand të shtëpisë Sotheby’s me 28 shkurt në Londër. Piktura e njohur si “Gruaja me beretë dhe fustan me kubëza” është prezantuar tashmë në prag të ankandit të madh. Dhe vepra e Picassos pritet që të jetë oferta kryesore e këtij ankandi dhe pritet të shitet miliona dollarë.

James Mackie, drejtor i departamentit për impresionizëm dhe art modern në shtëpinë e ankandeve e përshkoi këtë vepër si kryeveprën më të madhe të vitit 1937 të krijuar në kohën shumë të rëndësishme të zhvillimit të artistit.

“Mendoj se është njëra prej veprave më të mira të vitit 1937 dhe ishte vit i rëndësishëm i karrierës së Picassos. Ishte viti kur ai krijoi edhe Guernican. E kjo është Marie Therese Walter, muza e tij e artë në vite që do të pasonin. Kjo pikturë është bërë me fuqi të jashtëzakonshme” tha ai.

Edhe një vepër tjetër e Picassos, “Le Matador” po ashtu është në shitje në këtë ankand dhe pritet të shitet deri në 18 milionë funta./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme