“Ekrane Përballë” sjellë kulturën italiane në Kosovë

28 Tetor, 2019 - 9:49 pm

Qendrim Badalli

Kultura italiane vjen në Kosovë për së paku tri ditë përmes aktiviteteve të ndryshme artistike me organizimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Ambasadës Italiane në Kosovë, Institutit Italian për Kulturë si dhe Fakultetit të Arteve të Kosovës, shkruan KultPlus.com

Për tri ditë do të shfaqen dhe analizohen filma dhe video të artistëve italianë nga vitet ’60 e deri më sot të përmbledhura nga Bruno Di Marino, profesor dhe njohës i fushës nga Italia. Çfarë ka qenë dhe çfarë është ende sot eksperimentimi me imazhet lëvizëse të realizuara nga artistët në vendin tonë nga vitet ‘60 deri në ditët e sotme? Do të jenë dy nga çështjet kryesore që do të trajtohen në këtë aktivitet.
 
Arta Agani, Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në fjalën hyrëse ka folur për synimin e bashkëpunimit me Institutin Italian për Kulturë.

“Këtë herë e kemi bërë hapin e parë me Institutin Italian për Kulturë. Misioni ynë i bashkëpunimit me këtë institut është që të sjellim ekspertët në Kosovë që të përfaqësojnë kulturën e këtij vendi, që është shumë e lashtë”.

Tutje, Agani ka thënë se programi që do të shfaqet është me rëndësi për Kosovën.

“Secila nga periudhat që do të shfaqen në këto tri ditë, ka pasur rëndësinë e vet sidomos për ne që nuk kemi histori më të vjetër se njëzetë vite të videoartit”.

Bruno Di Marino, profesor në Fakultetin e Arteve në Itali, është shprehur i kënaqur që është në Kosovë teksa shkurt ka treguar edhe për atë se çfarë do të prezentohet ditëve në vijim.

“Falemnderit shumë, jam shumë krenar që jam këtu në Prishtinë. Programi “Ekrane Përballë” është krijuar në 2017 në Romë, dhe unë kam pregatitur një përmbledhje të video-arteve më të mira  të realizuara në disa dekada”.

Alessandra Bertini Malgarini, Drejtoresha e Institutit Italian për Kulturë, ka thënë ky Institut ka ardhur në Kosovë për të sjellur pak kulturë italiane.

“Ne jemi këtu që të ju sjellim juve pak kulturë italiane, që të ju sjellim video-arte italiane si një pjesë e rëndësishme e artit bashkohor”.

“Ju falënderoj shumë që jeni këtu, unë shpresoj se jo ta pëlqeni aktivitetin tonë dhe do të kaloni mirë sepse është pjesë e rëndësishme e artit bashkohorë”.

Këtu keni agjendën e këtij akiviteti.

Të ngjajshme