Ekspozita e Demush Avdimetaj, gërshetim i artit klasik me atë modern (FOTO)

20 Prill, 2018 - 12:30 pm

Tridhjetëenjë punime në muret e Galerisë së Ministrisë (QAFA), janë përmbledhje e mijëra punimeve të autorit Demush Avdimetaj. “Simbiozë e Artit Klasik dhe Modern” quhet ekspozita e tij që paraqet elemente reale dhe të imagjinuara poetike, me kontura vizatimore grafike, piktoreske e skulpturore.

GiliHoxhaj

Çdo punim i tij në muret e Galerisë, ishte një dëshmi më tepër për kapacitetin krijues të këtij piktori. Punimet e tij preknin të dy fushat, vizatimin dhe pikturën, këto dy fusha të cilat me pasion i ka kultivuar gjatë gjithë karrierës së tij. Diku ngjyrat e punimeve janë më të ndritshme e shumëngjyrëshe, e diku në të errtën. Kjo ekspozitë që përmban punime të autorit edhe nga shekulli i kaluarpërmban shumë elemente nga historia, legjendat e mitet e historisë shqiptare, të cilat janë një reflektim që nga koha e Gjegj Kastriotit Skënderbeut, andaj në një nga punimet e tij, vizitori aty do të ndeshet edhe në figurën imagjinare të Gjergj Kastriotit.

Përveç kësaj jo dhe në pak raste, shihet edhe imazhi i femrës, që zë jo dhe pak vend të krijimtarinë e tij artistike.

Piktori Musë Prelvukaj ishte njëri nga të pranishmit e kësaj ekspozite. Ai për KultPlus tregoi se ka gati gjysmë shekulli bashkëpunimi dhe miqësie me piktorin Demush Avdimetaj, të cilin tha se e vlerëson si një ilustrator e piktor të shkëlqyer, e që ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në ilustrimet për fëmijë në revistën letrare për fëmijë “Pioneri”.Në mungesë të kuratorit Nebih Muriqi, Prelvukaj lexoi disa nga fjalët e Muriqit për ekspozitën.

Muriqi thotë se e cilëson Avidemetajn si një ilustrator të dalluar e me talent që më vonë shndërrohet në një piktor befasues, me identitet të formësuar dhe talent të dalluar.

“Një krijues që nuk eksperimenton, nuk humbë se koti kohën e çmuar, frymëzohet nga ambienti ku jeton, nga dhimbja e popullit, nga jeta dhe mbijetesa e tij, nga drama e lufta për mbijetesë, nga balada, miti, tradita, epika popullore, historia, heroizimi, lufta, sakrifica dhe martirizmi. Këto motive të larmishme i freskon edhe fryma antike, nostalgjia për kohën, kur populli ynë ndeshej në dyluftim edhe me Perandorinë Romake”, shkruan Muriqi.

Demush Avdimetaj tregoi se ai fillimisht ia ka lenë në dorë kuratorit rreth 130 punime, prej të cilave i kishte zgjedhur tridhjetë. Punimet e tij janë të punuara me teknikë akrilik ndërsa dominojnë ato me ngjyra të tushit.

“Antikitetin të cilin e sjelli unë, njeriun e kësaj kohe e trajtoj taman në kohën skulpturale, gjithmonë shkoj duke e gdhend dhe duke e skulpturuar një problem që e kam marrë”, tha Avidemetaj.
Punimet e piktorit janë aq shumë të lidhura me vendin dhe të kaluarën e tij sa që ai edhe dhimbjen dhe dhe tundimet për liri, i ka reflektuar në punimet që solli mbrëmë.

“Lëndina e lotëve”, e shtjellon rastin e masakrës së Mejes, dhimbjen dhe humbjen nga kjo masakër. Në jo dhe pak raste shohim edhe gruan si subjekt i punimeve të tij artistike, ai tha se mundohet që në pikturat e tij, të sjellë fatin e saj.

Njëra nga punimet e tij asocon në legjendën për Rozafën, përmes të cilës ai ngërthen edhe një personifikim tjetër nga Kalaja e Shkodrës, duke treguar kështu fatin e grave që kanë qenë gjithnjë të mbyllura dhe të izoluara brenda ambienteve të shtëpisë.

”Gjithmonë shkoj duke e menduar të kaluarën antike por e vendosi figurën në një pozicion që tregon qëndrimin e saj apo ku është dhimbja dhe ndjenja, pra figurativisht mundohem të nxjerrë ndjenjën e individit”, tha tutje Avdimetaj.

Demush Avdimetaj u lind më 1949 në Strellc të Deçanit. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Pikturës. Deri më tani, Avdimetaj ka realizuar mbi 20 ekspozita personale, ndërkaq kjo është ekspozita e tretë me radhë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Karriera e tij artistike është përcjellë edhe me çmime e mirënjohje të ndryshme si ajo nga Akademia Evropiane e Arteve në Belgjikë në vitin 2006, nga Salloni i 36-të Ndërkombëtarë, po në Belgjikë, nga Salloni Mbarëkombëtarë i Gostivarit në vitin 2010, etj.

Ekspozita e tij do të qëndroj e hapur deri më 3 maj në Galerinë e Minsitrisë (QAFA)./ KultPlus.com



Të ngjajshme