Ekspozita e Flaka Halitit tërheq artdashësit në GKA

27 Shtator, 2018 - 11:10 am

Ekspozita e artistes kosovare Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve është vizituar nga 2197 vizitorë nga data 8 shtator deri më datë 24 shtator.

“Këtu – apo atje, është më atje” ka nxitur një interes të madh si për publikun shqiptar dhe për atë të huaj.

Flaka Haliti (1982, Prishtinë) jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Stadelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare.

Në hapjen e ekspozitës kuratorja Leonie u shpreh më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë.

“Kjo ekspozitë që prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale. Titulli “Këtu- apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?”, tregoi kuratorja.

Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita u hap më datë 7 shtator, dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor./ata

Të ngjajshme