Ekspozita e Gazmend Lekës në FAB, reflektim për jetën

27 Nëntor, 2020 - 1:29 pm

Në këto ditë të vështira që po kalon bota për shkak të pandemisë, artisti Gazmend Leka ka çelur ekspozitën “NOE” e cila vjen për publikun në këto momente delikate si shkëputje ndaj realitetit drejt artit.

Në ambientet e galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve, kjo ekspozitë vjen për publikun si pjesë e trilogjisë pasi më parë janë hapur nga artisti edhe dy ekspozita te tjera me titujt “ Lutja” dhe “ Dhoma e Hapave të Humbur”.

Kjo ishte edhe vetë ideja e artistit, që kjo ekspozitë të mbyllte ciklin e trilogjisë ku të 24 veprat e paraqitura këtë herë për publikun kishin në fokus aleancën e prishur tashmë mes njerëzve dhe krijuesit hyjnor.

Vetë artisti shprehet se kjo ekspozitë gjithashtu bërtet me zë të lartë dhe i bënë jehonë dramave të shqiptarëve dhe pse jo edhe qytetarëve të gjithë globit të cilët së fundmi kanë përjetuar shumë mallkime. Ai shprehet gjithashtu se të gjithë ne në mënyrën tonë duhet të reflektojmë dhe të veprojmë sa nuk është vonë.

Vetëm duke u kthyer tek krijuesi dhe vlerave njerëzore të cilat gjithsecili nga ne ka, atëherë do të kemi mundësinë të rifillojmë nga e para dhe të respektojmë mbi të gjitha hapësirën e çdo specie që meriton vendin e vet në këtë botë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 nëntor në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme