Ekspozita e Neron Deshishkut, një bashkim i buzëqeshjes dhe vuajtjes

22 Shkurt, 2019 - 9:00 am

Një fotografi e një gruaje të mbuluar. Një tjetër, është një fëmijë që qan, në një ambient që qan bashkë me të prej zymtësisë dhe trishtimit. Një tjetër fotografi është e një vajze që shikon me vëmendje në aparat, sikur ka diçka t’i thotë atij.

Të gjitha fotografitë janë në hapësirën e bardhë të Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë. Neron Deshishku i ka nxjerrë me dorën e tij, me lensin e aparatit, në ekspozitën e cila u hap në Prishtinë, nën titullin ‘ICY’.

Ekspozitën e shpalli të hapur Vjosa Berisha – kryesuese e Qendrës Informative dhe Kulturore, duke treguar se për Neronin kjo ekspozitë vjen në momentin e duhur, pasi ai po e fillon mbarë një karrierë në këtë fushë dhe kësisoj do të stimulohet tutje për të punuar në këtë fushë.

Në natën e hapjes foli mes tjerash edhe Fahredin Spahija, fotograf i njohur.

Duke e quajtur Neronin si një emër që karakterizohet me një ndjeshmëri të theksuar për kapjen e imazheve që i vë rreth e rrotull tij, Spahija tha se Deshishku e dëshmon me këtë ekspozitë dhe këto momente të jetësuara përgjithmonë, se ka narracion fotografik shumë interesant dhe është një paralajmërim i zgjerimit të mozaikut të kulturës fotografike që i ka karakterizuar shqiptarët në retrospektivë.

Neroni, djalë i ri nga Prishtina, ka studiuar për një kohë në Paris ndërsa u kthye në Kosovë që ta vazhdojë pasionin e tij për fotografinë.

“Fotografitë janë realizuar dimrit, gjatë një aksioni me shoqëri, për të ndihmuar familjet në nevojë. Fotografitë tregojnë që edhepse këta njerëz janë të anashkaluar, ata janë të bukur, kanë krenari, pra jo gjithçka është depresion. Ka fëmijë që luajnë, gëzohen buzëqeshin, dhe unë kam dasht me i kap këto momente” tregon për KultPlus artisti.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 6 mars. / KultPlus.com

Të ngjajshme