Ekspozita e Shqipe Kamberit, riqëndisi fatin e nuseve shqiptare të kufizuar në Kanun (FOTO)

15 Nëntor, 2017 - 10:46 am

Fati i nuseve shqiptare mbrëmë erdhi i qëndisur në pothuajse gjashtëmbëdhjetë punimet e artistes kosovare Shqipe Kamberi. Përmbledhjen e një punë rreth tri vjeçare ajo e prezantoi mbrëmë në ekspozitën e saj personale të titulluar “Vetëdija- dikur dhe sot”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në muret e errëta të Muzeut të Kosovës kishin zënë vend portretet e ndritshme të nuseve, në të cilat ishin ndërthurur detaje të veshjeve tradicionale dhe në anën tjetër paraqitet një torzo femre në pëlhurë.

Pozitën femrës shqiptare Kamberi e sjellë në dy dimensione, përmes torzos ajo nxjerrë në pah bukurinë dhe sensualitetin e trupit të saj. Ndërsa në anën tjetër përmes katërmbëdhjetë portreteve të veçanta në ciklin “Nusja”, ajo sjellë identitetin e fshehur të gruas shqiptare duke reflektuar realitetin mbi të cilin kanë shkelur shumë prej tyre që janë trajtuar në bazë të kornizave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili parasheh vrasjen si vendim të prerë nëse ajo nuk i nënshtrohet fatit të saj në martesë.

Pikërisht këtë dhimbje e përcjellë artistja Kamberi përmes syve të burgosur, e flokëve të mbuluara me sipërfaqe të bardha, e diku përmes detajeve të veshjeve tradicionale. Për ta bërë më të thumbueshëm realitetin e trishtë të nuseve në të kaluarën, ajo në mes të sallës kishte vendosur një punim që paraqiste pajën e nuses, mbi të cilin artistja kishte vendosur një fishek, i cili ilustronte më së miri trajtimin e saj në Kanun se po që se ajo nuk i nënshtrohej fatit të saj ajo mund të vritej nga i shoqi apo familjarët e tij me po atë plumb që e kishte mbështjellë me pajën e saj.

Artistja Shqipe Kamberi, shpjegoi për KultPlus, se koncepti i veprave që ajo shpalosi mbrëmë përfshin identitetin e grave shqiptare dhe vetëdijen e tyre dikur dhe sot lidhur me të drejtat e tyre.

“Si figurë kryesorë e veprave të mija është nusja. Duke e lexuar Kanunin e Lekë Dukagjini, aty kam hasur në disa nene për martesën të cilat kanë qenë shumë diskriminuese dhe është pikërisht kjo që më ka nxitur që unë të reflektoj në këtë mënyrë. I kanë sytë e mbyllur sepse nuk kanë pasur të drejtë të flasin, të veprojnë, të mendojnë që do të thotë se ato totalisht kanë qenë në shërbim të dikujt. Po besoj që kjo dukuri ekziston edhe sot edhe pse jo ndoshta e shprehur në atë masë sa atëherë, shpresoj që me këto punime do të reflektoj sado pak në ndryshimin e mendimit lidhur me këtë çështje”, tregoi Shqipe Kamberi.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj në fjalinë e tij hyrëse u shpreh se artistja Kamberi, përmes ekspozitës së saj sjellë një temë të vlefshme për Muzeun e Kosovës dhe vizitorët e tij. Derisa shtoi se artistja arrin që këtë temë të ndjeshme ta sjellë në mënyrë shumë elegante.

“Në mënyrë shumë elegante dhe më shumë estetikë ajo e prek Kanunin dhe përmes kësaj arrin të sjellë bukur shumë. Ajo që me dy fjalë dua të pajtohem me Shqipen është se nëse gruaja është ajo që duhet me e ruajt moralin, nëse gruaja është ajo që duhet me e ruajt gjuhën, ajo që duhet me e ruajt shpinë… A është shoqëria ajo që duhet ta njehë këtë kontribut, a jemi ne të gatshëm që ta njohim institucionin grua si pjesë e rëndësishme e shoqërisë tonë”, tha mes tjerash Boshtrakaj.

Mjellma Goranci, piktorja dhe mikja e artistes Shqipe Kamberi, u shpreh për KultPlus, se Shqipja përmes kësaj ekspozite ka treguar në mënyrën më të bukur të mundshme pozitën e femrës shqiptare.

“Shqipe Kamberi, është një artiste me vlera shumë të mëdha. Ajo është një artiste që ka akumuluar shumë art, shumë informata dhe shumë dije në jetën e saj dhe sonte krejt atë e kurorëzon në këtë ekspozitë. Përmes këtij cikli ajo ka ri-qëndisur edhe një herë historinë e një vajze shqiptare të shtrirë në traditën dhe mentalitetin tonë, në të padrejtat dhe ato pak të drejta që i ka pasur. Jo që nuk është folur më parë për këtë pozitë të femrës shqiptare në televizionet tona por Shqipja në këtë ekspozitë e ka treguar këtë realitet në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehu Mjellma Goranci për KultPlus.

Punimet e veçanta të kësaj ekspozite do të vazhdojnë të jenë në dispozicion për vizitorët deri më 28 nëntor sa do të vazhdoj të jetë e hapur kjo ekspozitë në Muzeun e Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme