Ekspozita ‘Mrena’ dhe libri ‘Jashtë’, Kaltrina Rrustemi sjell për herë të parë artin e saj në Kosovë

17 Qershor, 2023 - 9:00 am

Galeria e Ministrisë së Kulturës u mbush sot me artin e Kaltrina Rrustemit, të paraqitur me anë të pikturave, fotografive e shkrimit. ‘Mrena’ është ekspozita e parë e artistes Rrustemi e realizuar në Kosovë, në të cilën ajo shfrytëzoi rastin të botojë edhe librin e titulluar ‘Jashtë’, shkruan KultPlus.

Titujt ‘Mrena’ dhe ‘Jashtë’ në pamje të parë duken kontravers, por që faktikisht kanë një kuptim më të thellë. Artistja në fjalë ka dhënë frymën e parë në Zvicër, por zgjodhi që të fundit ta japë në vendlindjen e saj. Përzgjedhjen e titujve e ka bërë me një qëllim të caktuar, për të cilën ajo dha më shumë detaje për KultPlus.

“Unë prej ‘jashtit’ kam ardhur të jetoj “mrena” në Kosovë dhe ky ka qenë njëri ndër qëllimet e vendosjes së këtyre emrave. Vendosa t’ia lë këtë emër ekspozitës edhe për faktin se ka qenë brenda Galerisë, brenda Kosovës, ndërsa libri “Jashtë” flet për eksperiencën time si fëmijë, se si ka qenë me jetu në Zvicër”, shpjegon Rrustemi.

Në 200 faqe të këtij libri, gjendet një miks mes tekstit dhe fotografive. Libri është i shkruar në tri gjuhë, frëngjisht, anglisht dhe shqip, në të cilën Rrustemi, ka nxjerrë nga jashtë gjithçka që e ka munduar nga brenda.

Ndërkaq, ajo që të zë syrin janë edhe fotografitë e vendosura në disa nga faqet e këtij libri. Janë fotografi të artistes dhe familjarave të saj, në kohët më të hershme.

Pesë muaj punë intesive iu deshtën Kaltrina Rrustemit për finalizimin e librit dhe shfaqjen e tij përpara një publiku të gjerë.

Ekspozita e parë e saj u prit shumë mirë nga njerëzit, pjesë e së cilës ishin fëmijë e të moshuar, sytë e të cilëve shprehnin mjaft kuriozitet.

Me të hyrë në Galeri na shfaqen para syve dhjetëra piktura, vemendjen e së cilave e merr vizatimi i dorës bashkë me një fëmijë të vogël.
“Dorën e kam bërë me pluhur të kullave të kuqe të Prishtinës, për të lënë gjurmë dhe shenjë në Kosovë. Ndërsa, ky fëmija këtu jam unë kur kam qenë e vogël”, tha Rrustemi për KultPlus.

Ekspozita ‘Mrena’ e artistes Kaltrina Rrustemi, e kuruar nga Elise Lammer e cila u hap sot nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të qëndrojë e hapur deri më 16 shtator të këtij viti. /KultPlus.com

Të ngjajshme