Ekspozita ‘NË PAH’, nesër në Bibliotekën Hivzi Sylejmani

13 Qershor, 2023 - 4:30 pm

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë fton në hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës ‘Në Pah’ nga Dashnor Ajeti, i përzgjedhur nga thirrja për projekte artistike – DwP Creations, nesër me fillim nga ora 17:00.

Sy të largët që përshkojnë si prej një bote tjetër, një vështrim ky, që akoma nuk ka regjistruar sic bën drita kur impresionon cipën e ndjeshme të filmit fotografik duke dokumentuar historinë, plumbat, pushkatimet, trupat njëri mbi tjetrin djegiet masive dhe flakët e ferrit njerëzor. Ato i përkasin portretit që njëri nga të mbijetuarit e mban në duart e djegura duke na vënë përballë vështrimit të dyfishuar; atij të stampës fotografike që është i pavetëdijshëm për të ardhmen dhe, vështrimit të vetëdijshëm të personifikuar nga vetë i mbijetuari në të tashmen e çastit fotografik. Këto dy vështrime, të vetme kanë fuqinë ta rrëfejnë luftën, pa fjalë të tjera, kjo është edhe fuqia e dyfishtë e mediumit të fotografisë që midis ujërave të turbullta të spekulimeve e zbulon edhe të vërtetën.

E vërteta e secilit portret të fotografuar nuk shfaqet lehtë kudo, ajo qëndron diku nën lëkurë bashkë me ciflat e xhamit që kanë mbetur si shenja të pashlyeshme të së kaluarës. Ajo huton në vështrimin që s’ka më dritë vetë por është bërë një pasqyrë ku reflektohet dielli. Në protezën e personalizuar me një portret të të mbijetuarit kur ishte fëmijë. Në ambientet shtëpiake ku mangësitë dhe vështirësitë ndoshta janë më të përballueshme, për shkak të ngrohtësisë familjare.

Ekspozita “Në pah” nga Dashnor Ajeti është një mënyrë për ti dhënë hapësirë dhe dritë këtyre vështrimeve nga të cilat përbëhet seria e fotografive dedikuar invalidëve civilë të luftës së Kosovës, të cilët prej shumë vitesh janë bërë pothuajse të padukshëm në sytë e ligjit dhe vështrimit të një shoqërie të tërë.

Për këtë arsye të gjithë subjektet e fotografuar vështrojnë në kamerë, që ajo t’ia kthejë imazhin mbrapsht publikut dhe opinionit të gjerë. Të jenë të dukshëm dhe me të drejta si një kategori e ndjeshme dhe e dëmtuar nga lufta. Vështrimi drejtuar kamerës përcjell dinjitetin e rezistencës së tyre.

Kjo seri e fotografive e prezantuar nga Dashnor Ajeti është pjesë e ekspozitave të organizuara nga Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe ka si qëllim ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike.

Mbështetur nga: Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme. / KultPlus.com

Të ngjajshme