Ekspozita personale e Eliza Hoxhës shpalosë luftën për paqen e Kosovës

13 Dhjetor, 2017 - 10:43 pm

Gili Hoxhaj

“Jepi mundësi paqes” ishte ekspozita personale e artistes Eliza Hoxha, e cila shpalosi rreth dyzetë fotografi plot ngjyra, të cilat paraqitnin rrugëtimin më emblematik të Kosovës.

Momente të ndryshme të cilat Eliza i kishte kapur në kohën e para luftës, dhe shumë pak pas saj erdhën sonte të ngjitura me muret e vrimëzuar tek Hani i 2 Robertëve. Imazhet që ajo i sjellë japin pasqyrën më të qartë të një memorie dhjetëvjeçare të rezistencës kolektive për lirinë e Kosovës, e të gjitha këto përpjekjet reflektohen në sytë e të rinjve dhe të vjetërve, të pleqve dhe të fëmijëve, të atyre që ishin pjesë e krijimit të historisë dhe të atyre që përmes vështrimit në këto fotografi flasin për përjetimin e saj.

Profesori Sylejman Kllokoqi së bashku me Elizën shënuan hapjen e kësaj ekspozite. Kllokoqi u shpreh se Eliza Hoxha gjatë memorizimit të këtyre fotografive e ka pasur edhe syrin edhe zemrën, syrin për shkak se fotografitë janë të realizuara shkëlqyeshëm teknikisht dhe zemrën sepse ka arritur që ato fotografi t’i sjellë në një kohë mjaft të rrezikshme.

“Thuhet që një fotografi, i ka një mijë fjalë, unë do të thosha që këto fotografi nuk i kanë një mijë por dhjetë mijë fjalë sepse mendoj se për secilën fotografi mund të bëhet edhe një skenar, edhe një film. Fotografitë e Elizës na kthejnë prapa për njëzetë vite, unë e përgëzoj Elizën që si një njëzetë vjeçare e ka kapur aparatin me të cilin e ka sjellë historinë e Kosovës”, tha Kllokoqi në hapjen e kësaj ekspozite.

Çdo fotografi e Elizës ngërthen në vete një hap në histori, por edhe vet Eliza ka një histori të rrugëtimit të saj me fotografinë.

“Ka qenë vrasja e një studenti, Armend Daci në lagjen ku unë jetoj ndërsa ditën e nesërme ka pasur homazhe ku unë kam dalë dhe kam bërë fotografi, thjesht vetëm se ishte një moment i dhimbshëm. Ato fotografi mandej janë publikuar në ballinën e “Zëri”-t, ku edhe më kanë ftuar të punoj për shtojcën “Jeta” që ka qenë pjesë e “Zërit”, që nga ky moment unë edhe kam filluar gradualisht të dal dhe të fotografoj momente të ndryshme”, tha Eliza gjatë rrëfimit të saj në ceremoninë hyrëse.

“Përmes fotografisë e kam njohur Kosovën e vërtetë, edhe në fshat edhe në qytet”, shpjegoi tutje Eliza.
Duke qenë se kjo situatë, Elizën e gjen në një moshë të re, ajo gjen balancën mes dy botërave të kundërta. E gjendur përballë realitetit dhe ëndrrave, ajo zgjedhë të kontribuojë me regjistrimin e çdo gjëje që ndodhte rreth saj.
“Unë jam mishëruar aq shumë me fotografinë sa që kam menduar se kjo është mënyra ime e kontribuimit, nëse jo me pushkë ose në ndonjë formë tjetër”, tha Eliza për KultPlus.

Ajo në këtë ekspozitë ndriçon të kaluarën e Kosovës me dyzetë fotografi kuptimplota, të cilat do të ishin edhe në numër edhe më të madh nëse ajo do t’i gjente filmat e arkivës së gazetës “Zëri”.
“Mua më vjen shumë keq që një pjesë e punës time dhe që janë botuar në “Zëri”, nuk janë sot këtu sepse një pjesë e arkivit është shkatërruar, kurse për pjesën tjetër nuk dihet pronësia e filmave pasi që kemi qenë dy-tre fotografë aty”, tregoi Eliza për KultPlus.

Vet Eliza tregoi se kishte pasur shumë dyshime, nëse kjo periudhë e fundvitit ka qenë e duhura për të sjellë këtë ekspozitë, mirëpo më pas ajo ishte bindur që përmes kësaj ekspozite të reflektojë edhe solidaritetin, i cili e ka karakterizuar edhe atë periudhë.

“Shpesh nuk po ia dimë vlerën paqes që kemi sot. Madje shpesh kapemi pas gjërave anësore më shumë se sa mundohemi që të shtyjmë diçka përpara sepse jemi bërë më shpirtngushtë dhe e kemi harru solidaritetin.Ne kemi qenë shumë solidarë në atë kohë, kemi qenë shumë shpirtbardhë dhe jemi zgjuar çdo ditë me motivin që të bëjmë diçka për vete dhe diçka për shtetin të cilin e kemi ëndërruar. Kjo duhet të kthehet në mënyrë që ta kuptojmë se sa e gjatë ka qenë ajo rrugë”, është shprehur artistja Eliza Hoxha për KultPlus.

Përveç protestave, e rrëfimeve të tjera, ajo në këtë ekspozitë synon të reflektojë edhe jetën sociale, ku thotë se edhe pse lidhja jonë me kafenetë shpesh ironizohet, është e arsyeshme për shkak se kafeteria ka shërbyer edhe si institucion dhjetë vite për neve.
“Përkundër të gjithave ne kemi dalë edhe në kafe në atë kohë, kafja ka qenë vendi ku është bërë edhe ekspozita, edhe promovimi i librit, edhe shkolla, edhe disktumi, e edhe politika për Kosovën”, shpjegoi tutje Eliza.

Me muzikë, e nën shoqërimin e veprave dhe të njëri-tjetrit shumë artistë e artdashës kishin ardhur për të parë nga afër ekspozitën e kësaj artisteje të dëshmuar në shumë fusha. Piktorja Zake Prelvukaj tha për Kultplus se Eliza Hoxha përmes fotografive e bën edhe me të dukshëm në sytë tanë aktualitetin e asaj kohe.

“Eliza e ndjen nevojën që të paraqesë dokumentin që është bazë e një shteti të aktualiteteve të ndryshme të kronologjisë të jetës tonë. Ajo tregon se sa jemi ne si artistë dëshmitar të kohës. Këto fotografi për një kohë harrohen, por kur kthehen përsëri çdo imazh është Kosova dhe çdo vit që shkon kjo regjistrohet në histori sepse aktualitetet shpesh janë të padukshme por fotografitë janë dokumenti kryesor për historinë e çdo gjejë dhe e aktualitetit të asaj kohe”, tha Prelvukaj./ KultPlus.com

Të ngjajshme