Ekspozita ‘Skënderbeu në letërsi’ erdhi sot në Bibliotekën ‘Pjetër Bogdani’ (FOTO)

10 Prill, 2018 - 5:47 pm

Gili Hoxhaj

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u shënua hapja e edicionit të 16-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”.
Pas ceremonisë hapëse të këtij edicioni, vizitorët e Bibliotekës u ngjitën për tek Holli i Bibliotekës për të parë nga afër ekspozitën “Skënderbeu në letërsi” e cila erdhi në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

I gjithë muri ishte mbushur me gravurë nga autorë e botime të ndryshme. Ndërsa poshtë xhamit ishin vendosur përplot botime, fragmente botimesh e poezi për Gjergj Kastriot- Skënderbeun. Atyre u printe vepra e njohur e Marin Barletit, e titulluar “Historia e Skënderbeut”.

Persida Asllani – drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, falënderoi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për bashkëpunimin duke cilësuar rëndësinë e bashkëpunimit të këtyre dy institucioneve që sjellin në mënyrë të qëndrueshme kulturën e librin dhe marrëdhëniet që ndërtohen duke e njohur njëri-tjetrin dhe duke konsoliduar kulturën e përbashkët.

Ajo tutje shtoi se nuk ka përfaqësues më të mirë se figura e Skënderbeut që të jetë përfaqësuesja më e denjë në kontekstin e vitit kulturor dhe mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut.

“Figura e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut si një simbol i të përbashkëtës sonë të madhe, një e përbashkët që qysh në fillimin e parë të punës që ne i kushtuam përgatitjes së kësaj ekspozite na vërtetoi që çdo shfletim i fletëve të librit apo i imazheve që do të përzgjidhnim, do ta kishte këtë frymëzim të përbashkët që figura e Skënderbeut ka dhënë gjithmonë jo vetëm në hapësirën kulturore shqiptare por në gjithë hapësirën kulturore evropiane dhe botërore”, u shpreh Asllani sot.

Ky edicion i “Java e Bibliotekës në Kosovë” organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ambasadën e SHBA-së e ndërsa do të zgjasë deri më 14 prill. / KultPlus.com

Të ngjajshme