16 Korrik, 2025 - 2:52 pm
Galeria e arteve në Gjilan mbrëmjen e 15 korrikut, e kurorëzoi me hapjen e ekspozitës “Zeqa”, të krijuesit dhe piktorit Zeqirja Rexhepi, pikërisht në 70 vjetorin e lindjes së tij dhe 45 vjetorin e krijimtarisë.
Ekspozita “Zeqa” sjell për publikun një retrospektivë të veçantë pikturash të krijuesit, të ndërtuar mbi idenë e një kthimi në kohë. Përmes kësaj ekspozite, artisti ndërton një udhëtim emocional dhe artistik që rikthen kujtimet e vitit 1999, një periudhë e rëndë, e mbushur me dhimbje, humbje dhe përballje si për të si individ, njëlloj edhe për popullin e tij si kolektivitet.
Çdo vepër e paraqitur është më shumë se një kompozim estetik, është një dëshmi vizuale e plagëve të padukshme që bartin artisti dhe populli. Pikturat pasqyrojnë dhimbjen e artistit dhe të popullit të tij, duke shpalosur me ndjeshmëri dimensionet shpirtërore të një kohe të vështirë, e cila ka lënë gjurmë të thella në historinë tonë të afërt.
“Zeqa” më tepër se një ekspozitë arti, është një formë e kujtesës kolektive, një thirrje për të mos harruar dhe një dëshmi se si arti mbijeton edhe nëpërmjet vuajtjes, përcjellë KultPlus.
Nën udhëheqjen e kuratorit Avni Xh. Behluli, ekspozita “Zeqa” synon të vendosë publikun dhe artdashësit përballë dy periudhave jetësore thelbësore të artistit Zeqirja Rexhepi: periudha e jetës dhe krijimtarisë së tij në Kosovë, para vitit 1999, dhe periudha e mëvonshme, pas shpërnguljes së tij në Kanada.
“Të gjitha këto ndërtojnë jetën e tërë të artistit Zeqirja Rexhepi,” – shprehet kuratori Behluli, duke vënë theksin te forca e kujtesës dhe ndikimi i përvojave jetësore në krijimtarinë e tij.
Zeqirja Rexhepi, një artist me rrënjë shqiptare nga Gjilani, që jeton dhe vepron përtej oqeanit, përmes kësaj ekspozite synon të rikrijojë atmosferën shpirtërore të përjetimeve të tij më të thella, sidomos momentet dramatike të dëbimit nga forcat serbe në vitin 1999. Kjo ekspozitë është jo vetëm një rrëfim artistik, por edhe një akt kujtese që ngjall emocione dhe reflektim përmes fuqisë së pikturës.
“Është një reflektim mbi vuajtjet, mallin, shpresat dhe forcën që mban lidhjet e palëkundura me vendlindjen. Gjilani sot ndjehet më afër Kanadasë, falë artit që s’ka kufij. Falë një biri të këtij qyteti që, edhe pse larg në kilometra, kurrë nuk u largua në ndjenja dhe në përkushtim për kulturën shqiptare”, tha ndër të tjerë Morina Bunjaku, duke e falënderuar që me ngjyrat e shpirtit dhe fuqinë e kujtesës, ai rikthehet simbolikisht në vendlindje, duke ndihmuar në mbajtjen gjallë të identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore edhe jashtë kufijve./KultPlus.com