Ekspozitë fotografike në Parkun e Divjakës me faunën shqiptare

3 Korrik, 2018 - 10:00 am

Fundjava e gjeti Parkun Kombëtar të Divjakës jo vetëm me një numër të madh vizitorësh, por edhe me një aktivitet të veçantë promovues.

Në ambientet e Qendrës së Pritjes së Vizitorëve, u çel ekspozita fotografike me faunën shqiptare në përgjithësi dhe atë të zonës së Divjakës në veçanti.

Kafshët dhe shpendët të fotografuar në habitatet e tyre, u sollën përmes fotografisë nga persona të profesioneve të ndryshme, por që kanë pasion fotografinë.

Qëllimi i kësaj ekspozite në Parkun e Divjakës, ishte promovimi dhe mbrojtja e faunës në trojet shqiptare.

Pjesëmarrës ishin dhe Aurora dhe Liridani nga Kosova. Kafshët dhe shpendët e egër të fotografuar në habitatet e tyre. “Nuk ka qenë e lehtë të kapje momentin e duhur, por në fund ia ka vlejtur”, u shprehën ata. 40 fotot më të mira u ekspozuan në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, për të promovuar faunën e trojeve shqiptare. Foto të shkrepura në pyjet e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Pelikani kaçurrel, simbol i lagunës së Karavastasë, por edhe specia më e rrezikuar për zhdukje është sjellë e fotografuar nga biologu Taulant Bino. Betonizimin e parkut dhe urbanizimin e zonave bregdetare, Bino e sheh si një ngjarje të afërt, ndaj kjo ekspozitë sjell një mesazh të veçantë, ruajtjen e ekosistemit natyror, pa të cilin nuk do të kishte jetë në planetin Tokë.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta numëron 250 specie të shpendëve dhe është një nga zonat me numrin më të madh të tyre në Shqipëri. Fotografitë në këtë park dolën për herë të parë, kurse javën e ardhshme ato do të ekspozohen në Tiranë dhe në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme