Ekspozitë me fotografi të aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme në Republikën e Kosovës

15 Prill, 2022 - 8:53 pm

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore për nder të shënimit të Ditës Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve organizoi aktivitetin “Ekspozitë me fotografi të aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme në Republikën e Kosovës”.

Në kuadër të ekspozitës u paraqitën 23 asetet e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme.

Nga këto, nëntë të trashëgimisë arkeologjike: Kalaja e Prizrenit, Fusha e Madhe dhe Tuma, Kalaja e Harilaqit, Kalaja e Veletinit me minierat antike, Kalaja e vjetër, Kështjella antike e Keqekollës, Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut, Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda, Kalaja e Korishës, si dhe katërmbëdhjetë sish nga trashëgimia arkitekturale: Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë, Kisha dhe shkolla fillore në gjuhën shqipe në Stubëll të epërme, Kisha e Shën Premtës “Kisha e Levishës”, Kompleksi i banimit “Emin Gjiku”, Kulla e Haxhi Zekës në Leshan, Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, Shtëpi banimi – IKMM, Patrikana e Pejës, Shtëpi banimi (ish Akademia e Shkencave dhe Arteve), Xhamia e Hadum Agës, Xhamia e Mbretit dhe Xhamia e Sinan Pashës.

Aktiviteti mblodhi profesionistë të fushave të trashëgimisë kulturore nga institucionet e Kosovës, MKRS, përfaqësues të Ambasadave si dhe nga Universiteti i Prishtinës.

Kryetarja e Bordit të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, znj. Zanita Halimi, falenderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoj se “kjo ditë është një përpjekje për të ndihmuar në vazhdimin e edukimit të të rinjëve për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe krenarisë që duhet të kemi për të.

Është shumë e rëndësishme që në këtë ditë të reflektojmë, e të mos jetë vetëm një ditë për të nderuar trashëgiminë kulturore, por një thirrje për angazhim të përditshëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë”.

Aktivitetin e përshëndeti, z.Ardian Gola, kryetar i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

Z. Gola, theksoi se trashëgimia kosovare i tregon dy gjëra: për praninë e vazhdueshme historike të shoqërisë dhe këtij populli në këto treva dhe për diversitetin e saj. Z.Gola tha se nga kisha, manastire e xhamia deri te kalaja dhe kështjella të ndryshme, tregojnë për një diversitet të skajshëm kulturor të një historie të bujshme.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Hajrulla Çeku tha se bashkërisht me ndihmën që vjen nga Komisioni Parlamentar, KKTK dhe puna e gjithë profesionistëve që janë pjesë e këtij sistemi unik të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore do t’ia dalim mbanë dhe nuk do të flasim më për trashëgiminë në rrezik por për mënyrën se si do ta shfrytëzojmë më së miri potencialin ekonomik që ofrojnë këto asete të trashëgimisë kulturore.

Në fund të ekspozitës KKTK ndau Mirënjohje për z. Arben Llapashtica për kontributin e tij jo vetëm në sigurimin e shumë prej fotografive të aseteve të trashëgimisë kulturore, por dhe për promovimin e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës.

Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 21.04.2022 në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme