Ekspozitë me ikona kushtuar Shën Mërisë në Muzeun Historik Kombëtar

23 Dhjetor, 2021 - 9:35 pm

Muzeu Historik Kombëtar çeli sot ekspozitën “Ikonat mariane në Muzeun Historik Kombëtar”, ku janë të ekspozuara disa ikona mariane (kushtuar Shën Mërisë), të cilat u përkasin autorëve të ndryshëm.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë i dedikohet Shën Mërisë dhe nëpërmjet ikonave të ekspozuara i japim mundësinë publikut të kryeqytetit të njihet me një tjetër hapësirë të rëndësishme kulturore dhe për t’u njohur më mirë me vlerat e artit tonë bizantin.

“Në këtë ekspozitë janë të ekspozuara 16 ikona kushtuar Shën Mërisë. Kemi dy ikona që paraqesin skenën “Hyrja e Shën Mërisë në Tempull”, njëra është piktuar nga Onufri në shek. XVI, për kishën e Ungjillëzimit në Berat, ndërsa ikona tjetër është realizuar prej David Selenicës në shek. XVIII, për kishën e Shën Kollit në Voskopojë”, u shpreh Koçi.

“Vend kryesor në ekspozitë zë ikona “Shën Maria me Krishtin”, me një tipologji prej disa ikonash të pikturuara nga autorë të ndryshëm”, përfundoi Dr. Koçi.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, u shpreh se ikonografia është një nga pjesët më të rëndësishme të artit figurativ dhe për këtë fakt duhet vlerësuar dhe studiuar.

“Ekspozitat janë jo vetëm baza për t’u studiuar dhe shfaqur vlerat që mbartin por edhe promovimi karshi publikut të gjerë”, theksoi Prifti./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme