12 Maj, 2025 - 10:50 am
Me rastin e 26-vjetorit të vrasjes së akademikut dhe veprimtarit të shquar, Fehmi Agani, nesër, me datë 13 maj, do të hapet ekspozita përkujtimore me titull “Kontributi atdhetar – intelektual dhe politik i akademik Fehmi Agani”, në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ekspozita organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Shoqatën “Sali Çekaj” në Zvicër, duke synuar të nderojë jetën dhe veprën e tij.
Ceremonia e hapjes do të përfshijë fjalë përshëndetëse nga Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja, si dhe fjalë rasti nga Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, znj. Vjollca Aliu, Akademik Hivzi Islami, dhe bashkautorët e ekspozitës Ph.Dc. Besnik Kraci dhe Dr. Sadik Krasniqi.
Në këtë ngjarje do të flasë gjithashtu Mentor Agani, djali i akademikut Fehmi Agani. Autorët e ekspozitës, Besnik Kraci dhe Sadik Krasniqi, kanë bashkuar dokumente, fotografi dhe materiale të tjera që ndriçojnë rolin historik të Fehmi Aganit si intelektual, akademik dhe politikan që kontribuoi në proceset paqësore dhe diplomatike të Kosovës drejt pavarësisë.
Ekspozita do të hapet më 13 maj 2025, në ora 12:00, në Prishtinë./KultPlus.com