Eliza Hoxha – ‘Qyteti Satelit: Prishtina – Kujtesa dhe e ardhmja’, një rrugëtim nëpër vitet e 90-ta

6 Korrik, 2018 - 12:46 pm

Alberina Haxhijaj

Eliza Hoxha kësaj radhe nuk ka ‘provokuar’ dikë. Dje ajo ka mbajtur në kryeqytetin kosovar masterklasën ‘Qyteti Satelit: Prishtina – kujtesa dhe e ardhmja’ duke udhëtuar bashkë me audiencën nëpër vitet e 90’.

Masterklasa erdhi si pjesë e prezantimeve dhe diskutimeve publike që organizohen në kuadër të projektit “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë” që ka për qëllim shqyrtimin e kujtesës kolektive dhe historike të viteve 90’ në Kosovë.

Heqja e autonomisë së Kosovës në vitin 1989 për shqiptarët nënkuptoi të qenit të përjashtuar nga puna, edukimi dhe informimi. Me këtë rast shqiptarët e Kosovës krijuan sistemin paralel të edukimit dhe shëndetësisë nëpër shtëpitë private të tyre, financuar nga 3% i taksave në të ardhurat e shqiptarëve përgjithësisht nga diaspora. Përderisa qyteti u bë shtëpi për serbët e rinj, për shqiptarët shtëpia u bë sinonim për qytetin.

Vitet e 90’ kanë një rëndësi shumë të veçantë për kosovarët, një mënyrë mbijetese, një formë proteste, solidaritet me njëri tjetrin dhe sigurisht kujtime të cilat nuk duhet harruar. Jo çdo herë është e lehtë që gjërat të mbesin në mendje dhe të mos harrohen e sidomos kur ato nuk dokumentohen. Prandaj është e rëndësishme të pasurit të një kujtese kolektive dhe dokumentimi i këtyre rrëfimeve të ndryshme.

Pikërisht vitet e 90-ta kanë lënë gjurmë në artisten Eliza Hoxha e cila si temë në Bienalen e Arkitekturës sivjet zgjodhi pikërisht këto vite, duke u fokusuar te shtëpitë-shkolla.

“Shtëpia u bë shkollë, restorant, vend promovimi, zyrë, galeri arti, spital dhe shtëpi në të njëjtën kohë. Ky këmbim dhe kjo shkrirje e privates me publiken, e të hapurës dhe të mbyllurës, privatësisë dhe transparencës ndikoi në tipologjitë e banimit në njërën anë dhe mentalitetin kulturor në anën tjetër”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se Pavijoni i Kosovës ka qenë një shtëpi, jashtë së cilës janë parë tullat e kuqe ndërsa brenda muret e saj kanë qenë të veshura me pasqyra. Pasqyra – si mjet për të reflektuar mbi veten tonë por edhe si barriera, ndërsa kulmi ka qenë i mbuluar me satelitë. Satelitët shihen nga artistja si mjeti kryesor që ka shërbyer për tu informuar por edhe si një lloj trageti për të ditur se cilat në fakt janë shtëpitë e shqiptarëve.

“Të privuar nga media dhe informimi, familjet shqiptare blenë antenat satelitore. Kushdo mund të shënjonte saktësisht se cilat ishin banesat shqiptare, thjeshtë vetëm për shkak të këtyre antenave satelitore apo rrathëve të bardhë të varur nëpër ballkone”, theksoi Hoxha.

“Shtëpitë kanë dalë nga funksion i tyre vetëm si shtëpi, ato pastaj janë bërë hapësira që njerëzit të diskutojnë në to, njëlloj siç janë bërë edhe kafenetë ku është diskutuar për tema të ndryshme”, është shprehur artistja.

Eliza Hoxha tutje ka zbuluar edhe aspektet tjera kulturore të cilat kanë ndikuar në vitet e 90-ta, si kafenetë të cilat ishin shndërruar në galeri, si “Hani i dy Robertëve”, pastaj sesi ka ndikuar muzika dhe tekstet e këngëve për të shprehur preokupimet e asaj kohe. Nuk harrohen edhe hapësirat e reja të krijuar si ajo në Breg të Diellit, Santeja apo edhe nën Kurriz, ku tashmë shqiptarët mblidheshin dhe mundoheshin të zhvillonin jetën e tyre duke përfshirë edhe atë kulturore.

Artistja në kuadër të masterklasës diskutoi edhe se cilat do të ishin format më të mira që kujtesa jonë kolektive në lidhje me këtë periudhë të shndërrohet në krenari kolektive duke u plotësuar me rrëfimet dhe të pathënat e qytetit të të 90-tave.
“Qyteti Satelit: Prishtina – Kujtesa dhe e ardhmja”, është organizuar nga ForumZFD – programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, i cili u mbështet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Qeverisë Gjermane (BMZ). / KultPlus.com

Të ngjajshme