“Elle Decor”: Shqipëria ndër 10 pavionet për mos t’u humbur në Venecia

19 Maj, 2019 - 3:30 pm

Vepra e artistit Driant Zeneli “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, e kuruar nga Alicia Knock dhe e prezantuar në edicionin e 58-të të Bienales së Venecias ka tërhequr vëmendjen e shumë medieve ndërkombëtare.

Revista italiane e dizajnit dhe arkitekturës “Elle Decor” në një artikull të publikuar e ka renditur pavionin shqiptar të përfaqësuar nga vepra e Znelit ndër 10 pavionet për mos tu humbur në Bienalen e Venecias.

Nën temën ““You Live In Interesting Times”, titulli i zgjedhur nga Ralph Rugoff – pavionet kombëtare në Bienalen e Venecias të 2019-ës marrin përsipër çështje botërore si ndryshimet klimatike dhe padrejtësitë sociale, eksplorojnë kushtet njerëzore dhe riinterpretojnë zakonet popullore me një lexim bashkëkohor, që ofron nuanca të pasura.

Midis tyre, shkruan “Elle Decor”, ne kemi përzgjedhur 10 pavionet e lartë të Bienales së 2019-ës, që shpalosen në Arsenale dhe Giardini, duke shfaqur atmosferë dhe gjuhë kreative.

“Pavioni shqiptar zbulon një ekspozitë të titulluar “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm” nga Driant Zeneli me kurimin e Alicia Knock. Në qendër të kësaj pune të artistit të ri është ripërcaktimi i koncepteve të tilla si dështimi, utopia dhe ëndrrat, të zbatuara përmes filmave narrative dhe shfaqjeve që hulumtojnë obsesionin e qenieve njerëzore për të kapërcyer kufijtë e tyre”, shkruan “Elle Decor”.

Ndër dhjetë pavionet përveç Shqipërisë. “Elle Decor” rendit edhe Mongolinë, Danimarkën, Brazilin, Gjermaninë, Belgjikën, Izraelin, Austrinë, Lituaninë dhe Vendet Nordike.
Kuratorja Alicia Knock tha se “vepra e Zenelit shpreh se si ëndrrat mund të bëhen realitet”.

“Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë persona që kemi punuar për një vit për të realizuar këtë vepër, duke filluar nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e tyre”, është shprehur artisti Driant Zeneli në çeljen e Bienales.

“You Live In Interesting Times”, është titulli i edicionit të 58-të të Bienales së Venecias dhe i referohet një mallkimi antik kinez, që evokon kohëra pasigurish, krizash dhe kaosi; “kohë interesante”, si këto që po jetojmë. Ky edicion kurohet nga Ralph Rugoff, nën presidencën e Paolo Baratta-s. Sipas Rugoff, “ndoshta arti, në mënyrë indirekte mund të kthehet në një guidë se si të jetojmë e të mendojmë”.

Në këtë edicion marrin pjesë 90 shtete, të vendosur në Giardini e Arsenale. Ndërsa 21 ngjarje kolaterale zhvillohen nëpër Venecia./k.s/ KultPlus.com

Të ngjajshme