‘Eminencë Gri’, ekspozita që vizualizon ndikimin e teknologjisë në perceptimet e njerëzve

4 Mars, 2023 - 7:15 pm

Flonja Haxhaj

Nocioni i të pamurit dhe lëvizjes në raport me përceptimet që shndërrohen dhe ndërmjetësohen nga imzhet të cilat shpërndahen përmes teknologjisë, u pasqyruan nëpërmjet instalacioneve në ekspozitën ‘Eminencë Gri’ të artistit Zgjim Zyba, përcjell KultPlus.

Shkallët nga materiali i sfungjerit dhe pikat lundruese janë dy instalacionet që zënë vend në ekspozitën që hapi dyert më 3 mars në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Vetë artisti Zyba tha për KultPlus se koncepti i ekspozitës ka të bëjë me realitetin dhe teknologjinë.

“Teknologjia është një faktor kryesor në transformimin e qenies njerëzore, e ky faktor është qysh nga fundi i shekullit XX ndërkaq sot ne e shohim post-humanizmin e që është një koncept ndryshe nga koncepti racional i qenies njerëzore”, u shpreh ai teksa shpjegonte konceptin e ekspozitës.

“Unë jam munduar ta paraqes këtë koncept përmes dy instilacioneve. E para është në hapësirën e jashtme ku janë pikat ose mizat lundruese të cilat ne i shohim kur kemi një ndriçim shumë të madh në pamjen tonë, kurse pjesa tjetër janë shkallët e transformuara përmes materialit të sfungjerit”, tha mes tjerash  Zyba.

Ekspozita e cila ka për qëllim të vizualizojë ndikimin e thellë të teknologjisë në evolucionin e njerëzimin dhe lidhjen e nguushtë me rolin e saj në përcaktimin dhe ndryshimin e pikëpamjeve individuale dhe kolektive rreth së tashmes, së ardhmes dhe imagjinares, u kurua nga Hana Hallaj.

Ndërkaq, ‘Eminencë Gri’ do të jetë e hapur deri më 25 prill./KultPlus.com

Të ngjajshme