Eros Dibra, në këtë botë spektakli, pak art për brendinë e njeriut

23 Prill, 2019 - 4:22 pm

Eros Dibra në Vancouver me 16 artistë të tjerë. Artisti nga Shkodra rrëfen filozofinë e krijimtarisë së tij, raportin me të atin, shkrimtarin Ridvan Dibra, si dhe qëndrimin e tij ndaj Galerisë Kombëtare të Arteve dhe “Onufrit”, si ish-fitues

Anila Dedaj

Në një kohë që shfaqjet sipërfaqësore tentojnë gati “dhunshëm” të tërheqin vëmendje, në qoshkun e një galerie të vogël të kryeqytetit, arti i mirë synon mbijetesën. Eros Dibra (së bashku me 16 artistë të tjerë) kësaj here flet përmes “Fuqisë së petaleve”. Një ekspozitë që ka si subjekt lulen, në format e saj reale e abstrakte, e që pas galerisë “Kalo” vijon rrugëtimin në panairin e pestë ndërkombëtar të artit në Vancouver (nga 25 deri në 28 prill). I përqendruar së fundmi më tepër tek piktura, artisti shkodran tregon, se kjo formë e artit i lejon të trajtojë elementët intimë. Elementë që nuk mungojnë as në videot e tij, si “XXI” me të cilën fitoi çmimin e parë në edicionin e 21-të të “Onufrit”, ku ai hulumton rreth asaj që ndodh në Shqipëri, situatës shoqërore e politike, duke krijuar edhe debate. Krijimtaria e tij vjen si përgjigje e një nevoje të brendshme organike, sepse siç artisti shprehet:“Është më mirë kur arti vjen në mënyrë natyrale”… Punët e Dibrës, përmes përkëdheljes së ngjyrave shkojnë drejt brendisë së njeriut, duke u përpjekur të ngjallin ndjesi, dhe një reflektim të brendshëm për çka ndodh përreth. “Janë vepra që vijnë si meteorë. Nuk godasin menjëherë, por tentojnë të zgjojnë një reagim gradual. Ndryshe nga sa mund të ndodhë me piktura që krijojnë një spektakël, por që fiket shumë shpejt, unë synoj edhe pak vlerë mbijetese”, tregon ai.  Mbijetesa e vlerave, nga ana tjetër duket se bëhet shqetësim i artistit, që e shoqëron si në video, ashtu edhe në pikturë. Realitetin problematik, e ndonjëherë të dhunshëm, ftohtësinë e marrëdhënieve  ai e shikon si pasojë e një transformimi të brendshëm të njeriut, ndaj vazhdimisht tenton që përmes artit të tij të ngacmojë kujtesën, emocionet, dhe pse jo edhe pjesën e mirë të çdo individi. Për këtë shpesh zgjedh e u rikthehet  elementëve, si shtëpia e vjetër, apo kështjellës, elementë që shkojnë përtej konceptit fizik e me të cilat ai u prezantua edhe në Panairin e Artit në Milano në fillim të këtij viti. “Tek shtëpia e vjetër, elementi i parë që gjej është ai i drurit, që ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me origjinën tonë, tokën, dheun. Do të thosha edhe me njeriun e pacivilizuar, edhe pse ky term mund t’i shkojë më së shumti njeriut të ditëve të sotme”. Kolorit i kushton një vëmendje të veçantë në këto punime, e në shpërfaqjen e ndjesive në këtë harmonizim të ngjyrës e formës ndikon edhe raporti i tij me mistikën, me tokën. “Koncepti i shtëpisë së vjetër është mjaft interesant. Në vegjëli, kur je në një shtëpi të tillë, herë të duket si shtëpi përrallash e herë si një sistem ku pret të dalë një ‘gogol’, një fantazmë. Kështu krijohet një raport që shkon përtej fizikes, përtej realitetit. Një raport të cilin unë zgjedh ta ruaj”. Nëse me shtëpinë e vjetër artisti prek një kontekst më intim e individual, kështjella zgjeron shtrirjen në raport me të tjerët, edhe si shoqëri. E vjetra, e shkuara qoftë në dritën e shtëpisë, apo të kështjellës mbartin për artistin një tjetër aromë, e për këtë ndikojnë edhe transformimet e jashtme.  “Sa më shumë ndodh procesi i urbanizimit, ndërtimet e reja, si dhe ndryshimet teknologjike aq më shumë unë tërhiqem në të kaluarën, sepse e shikoj si të vetmen rrugë shpëtimi nga ky kaos i madh që po ndodh, nga ky rrënim që po i bëhet sistemit e natyrës”.  Shpesh, sipër punëve të tij, ashtu si edhe tek “Fuqia e petaleve”, qëndron një velo e lehtë melankolie, e cila vjen edhe si përgjigje e përjetimeve që shpesh Dibra i merr edhe nga natyra, e që më pas i jetëson në studio.

Artisti shkodran rrëfen se nuk ka një kohë të caktuar që ai pikturon e as një ndarje mes artit, punës e familjes. “Jetoj organikisht me të tria këto. Frymëzimin e gjej po ashtu mes tyre. Nuk fantazoj shumë, mundohem të jem mes realitetit dhe mes asaj që quhet realitet i fshehtë, ose realitet paralel që ka të bëjë me të brendshmen e njeriut”.

Nuk qëndron në pritje të frymëzimit në art, por e kërkon vazhdimisht. “Është një proces që ka të bëjë me leximin e imazheve të përditshme, mes bisedave të ndryshme. Është një formë e të jetuarit, e cila del në një përfundim mes një mediumi. Për momentin unë kam zgjedhur si medium pikturën, për të thënë ato çka me video nuk do të mundesha”.

Poezia është një bashkëshoqëruese e veprave të tij, ndoshta edhe një nga elementët më të fortë që e mbajti të gjallë tek Erosi dëshirën e fëmijërisë për të qenë artist. Për këtë një ndikim të fortë ka edhe i ati, shkrimtari Ridvan Dibra. “Me babushin raporti vijon të jetë i njëjtë, veçanërisht në lidhje me artin. Por tani imazhi im ndoshta është më i ndërlikuar, ndaj ai i shijon veprat si një aktor, tepër i mirë dhe besnik i imi. Ndikimi i tij, i poezisë do të jetë gjithmonë, madje është kjo çka më bën mua të jem edhe më emocional”, tregon Eros.  Poezia ka qenë edhe një nga urat lidhëse me Kristinën, bashkëshorten e tij. “Është ish-studente e babushit dhe unë e kam ‘grabitur’ kur shkoja të takoja tim atë”.

Ajo një poete e re, i dërgonte asokohe Erosit poezitë e saj, të cilat artisti do t’i ruante me kujdes. Derisa një ditë, kur dashuria e tyre ishte konsoliduar, Eros si kritiku i saj i parë do t’ia adhuronte poezitë në formën e një “Kopshti dëshirash”. “Është një poete shumë e mirë, por sa më njohu mua e la poezinë (qesh)… Uroj t’i rikthehet”.

“Kopshti”, quhet po ashtu një tjetër videoinstalacion i artistit, ku paraqiten disa të rinj që “luajnë” me armë. Një qëndrim i adoleshentëve që sipas artisti shfaq një deformim të tyre të brendshëm, e që tregon se si brezi i ri rritet. Duke nxitur një tjetër pyetje: Se për kë po krijohet?

Për Erosin është tepër e rëndësishme që vepra e tij të komunikojë e t’i shkojë një publiku të gjerë. “Dua të theksoj jo thjesht publikut elitar, pasi shpesh supozohet se ne kërkojmë një publik elitar, çka nuk është aspak e vërtetë. Madje me keqardhje mund të pohoj se ajo që në Shqipëri shpesh shitet si elitare, në fakt nuk është aspak e tillë. Ka dalë në sipërfaqe diçka që nuk është e mirë, e vërtetë në esencë”. Në rastin e videos “Kopshti” ai tregon se ka pasur një moshë të përafërt me fëmijët, me një diferencë prej afro 5 vitesh. Dhe shqetësimi i tij, për atë që po ndodhte në botën e brendshme të këtyre fëmijëve duket se ka zënë vend. “Të gjithë ata fëmijë tashmë janë rritur, janë bërë djelmosha të mëdhenj, por nuk kanë marrë rrugën që ne do të dëshironim për rininë tonë. Është një shqetësim që në fakt është global”.Sponsored by Revcontent

Videot e Eros Dibrës, që shumicën e herëve janë shoqëruar me debate, jo vetëm që i kanë rezistuar kohës, por në njëfarë mënyre mund të shikohen si paralajmëruese, të fenomeneve që mund të ndodhin. E tillë është edhe “XXI”, ku veçanërisht gjatë 2019-ës ka përkuar me ngjarjet që kanë ndodhur. Vetëvrasja e fëmijës 12-13 vjeçar, të sjell ndërmend ngjarjen e Kavajës, e të tjerë të ngjashëm që i kanë paraprirë. “Këto janë elementë që duken edhe si ogurzezë, por kjo ka të bëj me ndjeshmërinë artistike, me nuhatjen”. Videon, që erdhi si simbiozë e shekullit të “XXI” Eros tregon se do ta rikthejë në një aktivitet. Do të jetë po njësoj. “Është një vepër që ka një kontekst tepër psikologjik. Gjesti i tij është një paralajmërim në vetvete, dhe zhurma që shkaktoi video-ja lidhet me moshën e fëmijës”.

“Dashuri në morg” (film i shkurtër) është e vetmja punë të cilës mendon t’i rikthehet. Bëhet fjalë për një film bazuar në një tregim të të atit, dedikuar atij. “Është një raport naiv në çift, një dashur ekstreme, të cilin e kam realizuar në vit të tretë. Është brenda naivizmit të moshës, e ndoshta duhet riparë”. Një film, të cilin Erosi e ka prezantuar në Gjermani, e që lidhet me një tjetër vepër të tij. “Shtëpia” (Home), e cila paraqet një marrëdhënie në çift krejtësisht të kundërt. Është një marrëdhënie e ftohtë, ku ka mungesë komunikimi. Çifti pas divorcit të parë ka marrë një kafshë shtëpiake, pasi ndihet nevoja e një të treti, për t’i plotësuar, apo për t’i mbajtur bashkë”.

Tinguj si kambana përrallash, si fenomene natyrore, tinguj mistik. Muzika është një tjetër bashkëudhëtare e videove të Erosit. Artisti, ka gjithashtu vesh në muzikë e përmes një tastiere ai eksperimenton duke regjistruar tinguj të ndryshëm që më pas i pasqyron në veprat e tij. Beson në fuqinë e imazhit e të muzikës. Madje pohon se degradimi i këtyre të fundit e bombardimi me imazhe seksiste ka ndikuar në formimin e të rinjve, duke cenuar në një farë mënyre esencën e vlerave, e bindjeve familjare që nuk janë më si dukur. “Për këtë krijoj tinguj, që tentojnë të jenë muzikë, pasi mendoj se në gjithë këto situata problematike, krijohen gjendje e situata të cilat unë i përshtat”.

Nga video e parë e tij, “Duke ecur në ëndërr”, që realizoi në bahçe të shtëpisë, Erosi duke ruajtur me sqime ndjesitë e shtëpisë së vjetër, fëmijërinë e të kaluarën, ka zhvilluar krijimtarinë e tij duke mbajtur fort esencën e vlerave.

Por a vazhdon sot Erosi të eci nën ëndërr? “Edhe më fort…, edhe më shpejt!”, pohon ai.

Pavarësisht vështirësive dëshiron që rrugëtimin e tij ta vijoj në Shqipëri. “Po luftoj fort për këtë. E dua peizazhin e vendit tim, e dua shumë Shqipërinë dhe për hir të lidhjeve që kam, për shoqërinë, familjen”.

Por, nuk është fort i sigurt nëse ky vend do të ishte i përshtatshëm për të ardhmen e fëmijës së tij.

Shqipëria bëhet një hapësirë provuese veçanërisht për artistët, të cilët sipas Erosit, këtë rrugë nuk e kanë zgjedhur. “Arti është diçka që e kemi në gen, as nuk mësohet as ndalohet. Mbaj mend se edhe baba im nuk e kishte me dëshirë rrugën time, sepse e di mirë sa e vështirë është, pasi i ka kaluar vuajtjet vete. Por për artistin, që gjithnjë vuan pavarësisht vendit, gjeografisë nuk duhen shtuar edhe vuajtje të tjera shpeshherë të panevojshme”

Artisti vuan gjithmonë, vuajtja e artistit nuk ka të bëjë me vendin, gjeografinë. Por artisti nuk meriton që përveç vuajtjeve të tij, të ketë edhe vuajtje shtesë shpeshherë të panevojshme.

SOMARIO: Artisti vuan gjithmonë, vuajtja e artistit nuk ka të bëjë me vendin, gjeografinë. Por artisti nuk meriton që përveç vuajtjeve të tij, të ketë edhe vuajtje shtesë shpeshherë të panevojshme.

“Unë fituesi i ‘Onufrit’, ekspozitës që sot konsiderohet si e pavlerë!”

Erosi, pas pjesëmarrjes në “Onufrin e XXI-të”, ku edhe u shpall fitues ka mundur të ekspozojë edhe jashtë, madje disa nga veprat e tij janë tanimë pjesë e galerive të njohura. Në fakt, qenë në një farë mënyre profesionistë të huaj që e konfirmuan të riun nga Shkodra si talent, në 2015-ën, ku edhe pikasën videon e tij “XXI” në rrjet.

Ai është koshient se jashtë demokracia funksion, jo vetëm në aspektet politike e shoqërore, por edhe përsa i përket hapësirave ekspozuese, pranimit të artit si i tillë. Madje tkurrja e panoramës së artit në vendin tonë, kufizimi i hapësirave, është një tjetër motiv që e ka nxitur t’i rikthehet pikturës. “Tek ne problemi i demokracisë nuk është thjesht në aspektet politike, por edhe me të pranuarit e një arti që është ndryshe nga ai art që kryeministri, apo grupi i tij i afërt presupozojnë se është i vërteti. Për ta e ndryshmja nuk ekziston dhe kjo është prishje e demokracisë”. Është kjo arsyeja që Dibra e konsideron të vështirë zhvillimin e një artisti në një hapësirë si Shqipëria.

Si pjesë e ngushtimit të hapësirave,  për Erosin është edhe vendimi për të mbyllur një ekspozitë tradicionale si Konkursi “Onufri”. Madje ai mendon që qëndrimin e tij ndaj një akti të tillë, ta shpreh edhe përmes artit. “Po mendoj të ndërtoj një video për ‘Onufrin’, ku të evidentohet raporti im si fitues i një ekspozite, që e konsideruan si tërësisht të pavlerë”. Bëhet fjalë për një lojë që artisti synon të krijojë, duke përfshirë edhe intervistat që ka dhënë. “Është absurde situata që krijohet! “Onufri” ishte hapi im i parë drejt konfirmimit, që më pas më çoi tek shkolla në Gjermani, tek kjo karrierë. E gjitha kjo konsiderohet, si një dështim! Po e trajtoj efektin e mbylljes së ‘Onufrit’, jo vetëm si artist, por edhe si individ. Pra në fillim të urojnë, të thonë se kjo është një arritje e madhe, e mandej si për çudi thonë se nuk ka vlejtur fare, se ka qenë një mashtrim. Kjo punë synon të tregoj se si ndihet artisti fitues i një konkursi që sot nuk është më. Që nuk ekziston”.

Pas suksesit që Erosi pati në këtë ekspozitë, e intervistave në fjalë, ai pati një tërheqje nga “skena” e zhurma mediatike . “Zgjodha të jem artist e jo karrierist!”, shprehet. Mirëpo binomi Eros – ‘Onufër’, premton sukses edhe tani me mbylljen e ekspozitës tradicionale.

Por a mund të ekspozohej kjo vepër në të ardhmen në Galerinë Kombëtare të Arteve? Atmosfera e krijuar, duket se ka krijuar një gjendje pesimizmi tek artistët e rinj shqiptar, tanimë të konfirmuar. Dhe Erosi, nuk bën përjashtim. “Kam idenë se edhe po ta propozoja nuk do ta pranonin. Në një farë mënyrë unë isha me fat që kuratorët e ‘Onufrit’ ishin gjermanë, përndryshe dyshoj se do të kisha qenë pjesë e tij”. Ideja se ashtu si në politikë e të tjera fusha, edhe në artet pamore në kryeqytet ka nisur të funksionojë me klane, duke qarkulluar po të njëjtat emra bën që Erosi të shikojë depërtimin e artistëve të talentuar në këtë zonë gati të pamundur. “Madje mund të them se në art shpeshherë luftërat janë shumë më të mëdha se sa janë në politikë dhe në të fshehta. Kështu që nuk mendoj se do të kisha mundur të ekspozojë në Galeri”. Ashtu si edhe kolegë të tjerë, ai rrëfen se përveç ekspozitës së Edi Hilës, për pjesë tjetër që ka ekspozuar në Galero vitin që lamë pas ka rezerva. “Kam po ashtu rezerva për kohëzgjatjen e aktiviteteve. Vërtet që jashtë ekspozitat janë të mëdha, por jashtë ka minimumi 50 galeri private, dhe ka disa galeri kombëtare. Pra janë hapësirat të pafundme. Ndërsa ne, në fakt aktualisht nuk kemi as Galeri Kombëtare Artesh, jemi thjesht me një muze”.

Të ngjajshme