Fahredin Spahija me ekspozitë “S’du me t’pa, du me t’ndie”

2 Shtator, 2022 - 9:00 am

Fotografi Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitë personale në  Galerinë e Arteve ne Ferizaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë  me kurator Agron Shala përfshinë vepra të realizuara për 20 vjet nga fotografi Spahija dhe do të hapet më 8 shtator, në ora 20:00.

““S’du me t’pa, du me t’ndie” është titulli i ekspozitës së fundit të mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija. Nuk e ndërlidha ekspozitën me titullin e një kënge sepse, në perceptim të parë, mesazhet janë të ndryshme. As pse Spahija është adhurues dhe njohës i muzikës. Porse, si te Tomi, jeta është ndjesi; është edhe arti që merr jetë nga shpirti i artistit. Është ndjesia që artisti e bart te ne; është ndjesia që shikuesi e reflekton. Për të dyja palët vlen thënia e piktorit Paul Klee: “Njëri sy sheh, tjetri ndjen”. Dhe, “S’du me t’pa, du me t’ndie” e pasqyron këtë mendim”, ka shkruar kuratori Shala mbi këtë ekspozitë.

“Ekspozita e Spahisë përbëhet nga veprat e realizuara përgjatë 20 vjetëve të fundit. Një përzgjedhje e vështirë, por e veçantë kur kemi parasysh opusin e tij krijues dhe faktin se sa vëzhgues dhe kërkues është autori, çdo ditë dhe në çdo situatë – qoftë nëse pamja varet nga të tjerët, nga rrethanat apo nga vetë ai”, ka shkruar më tutje kuratori Shala./ KultPlus.com

Të ngjajshme