‘FemArt’ vjen me edicionin e tetë këtë vit, bën thirrje për aplikim

22 Shkurt, 2020 - 12:21 pm

Sivjet për herë të 8 me radhë organizohet festivali i parë me karakter feminist në Kosovë, ‘Femart’, duke filluar nga data 15 deri më 20 maj, shkruan KultPlus.

Motoja e festivalit për këtë vit, do të jetë ‘Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!’, dhe pritet që ky festival do të bashkojë të gjitha komunitetet nga mbarë bota në një vend për të prezantuar artin e tyre.

FemArt festivali, sot përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është hapur aplikimi dhe fton të gjithë të interesuarat që dëshirojnë të jenë pjesëmarrëse në këtë ngjarje 6-ditore, të aplikojnë.

Më poshtë gjeni të plotë thirrjen dhe mënyrën e aplikimit.

”Thirrje për Aplikim

FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve – Edicioni i 8-të – Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!
15 – 20 MAJ 2020, Prishtinë, KOSOVË

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt për të 8-ën herë radhazi në Prishtinë, Kosovë nga data 15 – 20 Maj, 2020 ( 6 ditë). FemArt është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës për shtatë vite.

Për çdo vit ne angazhojmë mbi dyqind gra artiste dhe aktiviste nga e gjithë bota që shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, dokumentarëve, leximeve skenike, arteve vizuale, ekspozitave, performancave në rrugë, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, poezive, punëtorive, panele diskutimesh, konferenca dhe prezantime, murale dhe shumë forma të tjera arti.

Festivali është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe të drejtave të njeriut.

E vërteta është se gratë kanë luftuar me shekuj të dëgjohen, shkruajnë libra, krijojnë art dhe të sfidojnë kufizimet e shumta në jetën e grave. Por arritjet e tyre në mënyrë të përsëritur janë përjashtuar nga historia. Prandaj këtë vit dëshirojmë ta sfidojmë audiencën tonë me pyetjen “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!” duke synuar promovimin dhe adresimin e nevojës së grave në proceset e vendimmarrjes qoftë në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale.

Programi i festivalit do të përfshijë tema të tilla si të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe feminizmin, të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues, drejtësinë tranzicionale, ndërtimin e paqes dhe pajtimin, të drejtat e LGBTQI, fuqizimin e grave, dhunën ndaj grave, dhuna në baza gjinore, tregimet e suksesesshme në shkëmbimet globale dhe rajonale e shumë të tjera.

Nëse jeni të interesuara që të prezantoni punën tuaj artistike në ndonjërën nga disiplinat e lartëpërmendura, Aplikoni dhe bëhu pjesë e FemArt – Festivali Ndërkombëtar i artisteve dhe aktivisteve “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!” – Edicioni i 8-të. Thirrja për aplikim do të jetë e hapur deri më 20 Mars 2020, ju lutem vini re se VETËM KANDIDATËT E PRANUAR DO TË KONTAKTOHEN.

Ju lutem klikoni këtu për të aplikuar: http://femart-ks.com/

Nëse keni ndonjë pyetje ose shqetësim në lidhje me aplikimin tuaj, mund të na kontaktoni në postën e-mail: [email protected] ose në 038 221 512

Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth festivalit FemArt na ndjekni në: website – http://femart-ks.com/ Facebook – facebook.com/FemartPrishtina/ KultPlus.com

Të ngjajshme