FemArt zbulon muralin e gruas që shkëlqen e udhëheqë përtej telasheve

31 Maj, 2018 - 1:30 pm

Alberina Haxhijaj

FemArt ka zbuluar dje muralin “FemArt – WE RUN THE SHOW”, të realizuar nga studentet e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Aurela Hajdini, Rrezarta Berbatovci, Olta Qeska, Aurrita Katona, Drenusha Dalipi, Puhizë Mjeku, Renea Begolli, Albana Bislimi dhe Luiza Thaqi, mentoruar nga Rudina Xhaferri, shkruan KultPlus.

FemArt këtë vit ka dashur që mesazhet e veta ti përcjell edhe përmes muraleve. Për ta bërë këtë ata kanë zgjedhur një nga muret afër Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sportit për ta ngjyrosur. Mbishkrimet seksiste dhe shkarravinat e vendosura në atë mur u shndërruan në një mural fuqizues për gratë duke shpërfaqur pengesat që hasin ato gjatë jetës.

Murali është realizuar nga studentët të cilat më shumë dashuri e kanë punuar atë. Një mural i cili ka për qëllim që të rinjtë gjersa kalojnë andej të magjepsen me këtë vepër arti dhe jo të lexojnë mbishkrime seksiste që do nguliteshin në mendjet e tyre tha për KultPlus Drenusha Dalipi, njëra nga studentet e cila zbuloi më shumë për muralin dhe punën e tyre.

“Kemi dashur që të sjellim fuqizimin e femrës por aty gjenden edhe disa elemente të cilat lidhen më të. Fillimisht është një portë e cila sjellë rrugën drejt fuqizimit por edhe pengesat që ajo hap. Po ashtu ka edhe elemente të tjera si cikli menstrual, lindja, pastaj femra të cilat nuk e marrin vullnetin që dalin në pah, të tjera të cilat nuk dëshirojnë që të depilohen, femra të ndryshme të cilat kanë karaktere të ndryshme por që janë vetvetja. Nuk kemi nevojë që të jemi perfekt thjeshtë vetvetja”, tha ajo duke treguar se në qendër bie vajza me diellin prapa e që paraqet shkëlqim.

Realizimi i murali u ka marrë pesë ditë punë mirëpo puna e tyre ka hasur edhe në vështirësi kjo pasi që ato janë penguar për të realizuar muralin ka treguar Jeta Berisha pjesë e stafit të Festivalit FemArt. Ajo tutje tha për KultPlus se akoma nuk dihet se çfarë do të ndodh më muralin pasi që i njëjti është kërkuar që të largohet dhe muri të kthehet siç ka qenë.

“Të martën është ndaluar puna nga inspektorë të Komunës së Prishtinës. Ndërsa sot kemi marrë një dokument nga Drejtoria për Shërbime Publike ku kërkohet që pas festivalit murali të kthehet në gjendjen e mëparshme. Ajo që po kërkohet është absurde pasi që kthimi i muralit në gjendjen e mëparshme nënkupton edhe kthimin e mesazheve seksiste”, tha ajo duke theksuar se edhe në fillim e kanë pasur të vështirë sigurimin e lejes për ta realizuar këtë mural duke marrë pëlqimin e Drejtorisë së Kulturës së Pallatit të Rinisë dhe Agjensioni Kosovar i Privatizimit.

Ky është viti i parë që festivali në kuadër të tij ka përfshirë edhe muralet. Ndërsa është bërë e ditur se festivali do të shikojë mundësit për ta vazhduar këtë aktivitet edhe në të ardhmen./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme