Fillesat e studios “Marubi”, oborri si tendë takimi

28 Mars, 2019 - 10:00 am

Qe një oborr si gjithë të tjerët, i rrethuar me mure, me pemë e shkurre, e prej ku shihej dera dhe dritarja e shtëpisë, shkalla dhe një parmak me shkopinj. Qe një oborr edhe në kuptimin e një selie ku mund të hynin e rrinin mbreti, princi e bajraktari, por edhe një strehë për katundarin dhe lypësin. Qe një oborr që kishte avantazhin e fotografimit me dritë natyrale.

Meqë duhej të rregullohej intensiteti i dritës, ai oborr mbulohej me një cohë që zbuste dritën duke u kthyer në një tendë ku rrihej për një kohë të shkurtër. Për këtë arsye ngjante si “tenda e takimit”, një vendtakim për të gjithë, vendas e të huaj që vinin e hynin aty për të takuar veten nëpërmjet Marubit.

Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, ka vite që merret me studimin e fillesave të Marubit si studio fotografike. Ambienti ku qe vendosur, koha e saktë kur u ngrit, fotografia e parë që u shkrep e jo vetëm, sepse fotografia është një prej arteve me të cilin ne qemë të njëkohshëm me botën. Së fundmi muzeu “Marubi” ka hapur një cikël bisedat që kanë të bëjnë me dinastinë Marubi. Vendndodhja dhe aktiviteti i studios së parë fotografike të ngritur nga Pietro Marubi në Shkodër ende nuk dihet. Viti 1856 mbetet data e themelimit të studios në Shkodër. Në tekstet e botuara gjejmë të shkruar se studioja e parë e pajisur me mjete të nevojshme të kohës u ndërtua gjatë viteve 1885-1890.

Vetë Bedeni, përmes bisedës “Tenda e takimit e një oborri”, sjell kërkimin-hulumtimin e tij për Marubët. Ky hulumtim ka të bëjë me kërkimin e gjurmëve të para të vendndodhjes së studios së Pietro Marubit dhe se si ai kryente aktivitetin; ku ndodhej kjo studio, sa e madhe ishte, cilët qenë “modelët” apo klientët që fotografonte ai. Bedeni ka përzgjedhur disa fotografi, të cilat kanë një lidhje me njëra-tjetrën, për të cilat ai do të japë edhe një shpjegim. Këto takime vijnë pas punëtorisë, “Atëherë dhe tani”, që hodhi dritë mbi si pozonin personazhet e Marubit, si visheshin, çfarë mimikash kishin, çfarë detajesh të tjera vëmë re në kompozimin e imazhit. Punëtoria “Atëherë dhe tani” rimori traditën e vjetër të fotografimit në studion e Marubëve duke e risjellë atë me personazhe të kohëve tona, po aq autentike sa ata të Marubit.

GJURMË TË PAFSHIRA

Studio “Marubi” sipas studimit të Bedenit përfshinte një mjedis prej 5 x 7 m të pozicionuar në kahun verilindor. Dy të tretat e pullazit dhe e tërë fasada ishin prej xhami, me qëllim që drita të hynte në sasi të barabartë, si nga sipër ashtu edhe anëve. Xhamat mbuloheshin me perde të mëdha bezeje, që lëviznin sipas nevojës për dritë. Aparatet e para fotografike që përdorën qenë me përmasa 30 x 40 cm të markave franceze e gjermane me kasetë për dy negativë 26×31 dhe 21×27 cm. Fotografimi me këtë aparat bëhej në hije, në natyrë. Më vonë hyri në përdorim aparati me përmasat 18×24 e 13×18 cm, i mbështetur në trekëmbësha druri. Bedeni shënon se studio fotografike “Marubi” nuk prodhoi vetëm për nevojat personale apo familjare të qytetarëve. Fotografitë me interes etnografik, historik apo gjeografik ilustruan me dhjetëra vepra të autorëve të huaj për Shqipërinë, ose u botuan në trajtën e kartolinave. “Fotografitë e saj janë një pasuri të rrallë për historianët, etnografët, arkitektët, urbanistët, artistët, etj.

Grupe patriotësh, bajraktarë e kryengritës, përfaqësues të Komisionit të Kufijve, delegatë e politikanë, gra e burra me veshje qyteti, fshati e malësie, pozojnë të gjithë brenda një oborri shkodran. Krerët e Mirditës të ardhur në Shkodër me rastin e vdekjes së Bib Dodës pozojnë tek i njëjti oborr me kalldrëm e mur me gurë Kiri. Nga një kënd tjetër pozojnë dhe Marash Uci e t’bijt e Calit”, shënon ai. Më tutje vëren se gjejmë në këto dy foto të njëjtën skenë, por me kënd fotografimi të ndryshëm. Personazhet pozojnë veçmas e bashkë përballë fotografit, që me stativin e tij të fiksuar në një vend lëviz vetëm këndin e objektivit të tij në oborr. Në njërën prej fotografive, atë të parën, dritarja është thuajse në profil, ndërsa tek e dyta është në mes e përballë. “Pas dritares shikojmë derën që përsëritet në dy foto e më pas në vazhdimin e të gjithë imazheve tjera gjejmë të përsëritet cepi i një shkalle. Gjithashtu, po të futemi në brendësi të këtyre fotografive ndjejmë gjurmët e stinëve prej veshjes së njerëzve si dhe prej gjendjes, pranisë apo mungesës së gjetheve të pemëve. Por nga kjo kuptojmë që fotografi e paska përdorur këtë oborr për një kohë të gjatë duke fotografuar personazhe, të cilët i vendos herë ulur e herë në këmbë, herë mbështetur në një gurë e herë në një pod”, thotë Bedeni. Sipas tij, çdo njëra prej këtyre fotografive mbetet shumë interesante për të analizuar se si fotografi e shndërron oborrin në një skenë ku improvizon shkrepjen e fotografive të tij. Duke parë fotografitë, veç subjekteve që pozonin, njëkohësisht hedhim vështrimin rrotull oborrit. “Ndër këto imazhe të bën përshtypje fotografia e Mati Kodhelit, një ndër të rrallat e gjendura në arkivë. Ky imazh mbetet i veçantë për faktin se dallohet ndërhyrja e fotografit që kujdeset për çdo detaj. Nga sa kuptohet, poza është marrë në një ditë të ftohtë sepse pemëve u kanë rënë gjethet. Fotografi është kujdesur që gardhi ku do të pozojë personi të jetë sa më i plotë me drurë e rrënjë të marra nga diku tjetër. Por, më interesantja aty është marrëdhënia me dritën. Në të majtë shikojmë një mekanizëm ingranazhesh, e cila lart komandon një tendë që zbut dritën e fortë dhe kontrastet e vrazhda duke e kthyer atë oborr nga eksterier në interier”, ndalet Bedeni në hulumtimin e tij. Imazhet e përzgjedhura ofrojnë një version të besueshëm të kontekstit të realizimit të fotografive të para të Marubit. Ato mbase na sugjerojnë se e gjithë kjo histori fillon nga një oborr karakteristik shkodran, që ishte skena ku erdhën e pozuan subjektet e ndryshme/ Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare. / KultPlus.com

Të ngjajshme