Fjolla Besimi, artistja që fotografinë e transkripton si frymë

31 Dhjetor, 2018 - 12:45 pm

Gili Hoxhaj

Fjolla Besimi është një emër i ri në fushën e artit pamor, por fotografia e saj është lehtë e identifikueshme. Ajo ecën në një kohë tjetër përmes ngjyrave. Tek njeriu, ajo depërton më lehtë përmes portretit e detajeve. Pamjeve u jep shpirt në ngjyra aspak të ndezura. “Të ndezësh me ngjyra të shuara” është fjalia që e ka frymëzuar në çdo shkrepje, është kryefjalë prej nga lindë secila fotografi e saj. Dëshira për të e ka përcjellë qysh herët, ndërsa e lidh me pasionin e saj për të pikturuar në libra, ose duke fotografuar me telefon çdo gjë që i shfaqet. Edhe pse shkollimi i saj s’lidhet aspak me artin, ajo kishte besuar fort në atë që donte e ëndrrën e kishte ndjekur edhe derisa studionte për diçka tjetër. Sot përmes një kamere profesionale, ajo lëvizë në shumë qytete të Kosovës e jashtë saj dhe përmes fotografisë përpiqet të përçojë energjinë që ndjen e merr prej të tjerëve. Fotografja Besimi, fotografinë e transkripton si frymë, pa të cilën thotë që s’ndihet vetja, e nuk e ndjen as gjallërinë e jetës. Për të, fotografia ka qenë një dritë që i ka dëftuar rrugën drejt vetes.

“Jeta, din me qenë një udhëtim hyjnor, rrugë e shtruar me kubëza t’lumtunisë, ushëtimë e lumenjve, fllade t’lehta t’pranverës. Por, ajo nuk është çdo herë e tillë, ndonjëherë Dielli humbet, e lumenjtë bëhen vërshime, flladet tajfune e kështu me rradhë. E n’kto ditët me mjegull e errësirë, secili prej neve e gjen një dorë mu kapë, një dritë për me ta dëftu rrugën drejt vetes, kështu unë e gjeta fotografinë, e prej atëherë s’i kemi lëshue duart”, thotë Fjolla Besimi në një intervistë për KultPlus.

‘Pa të s’ndihem unë,

e nëse s’ndihem unë s’ndihem e gjallë,

pra po e transkriptoj atë si frymë’, thotë mes fjalëve ajo.

Fjolla Besimi, e lindur në Prizren, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, tregon se edhe dashuria e saj për t’iu dedikuar fotografisë, fillimisht është përballur me mjaft paragjykime të cilat kryesisht kanë qenë të aspektit gjinor. Ata që e kanë rrethuar, lidhjen e saj me fotografinë, e kanë parë si mundësi të varfër sa i përket aspektit financiar.

“Një çikë e rritur në shoqëri patriarkale, ku përditë  rrethohesha me fjalët se “ti je çikë, so për ty kjo” , “hajt moj se sja ka pa kush hajrin artit”, ”kap shko n’ekonomi qaty shtine kryt me ni bankë a jep msim najku se ki me met pa bukë”, fjalë që me i dëgju në moshën 18 vjeçare t’i kanë qitë përtokë andrrat për jetën qysh don me e jetu ti se le mo arti”, rrëfen Besimi.

Fjolla Besimi

Me paratë e bursës blen kamerën e parë profesionale

Ajo nuk ka studiuar për artin, por thotë që i mbetet pengu më i madh në jetë. Megjithatë, studimet në Fakultetin Ekonomik dhe përkushtimi i saj në studime, ia kishin hapur dyert drejt fotografisë. Bursat që fiton nga këto studime, ia përmbushën asaj nevoja që ta blejë kamerën e parë.

“Ndoshta ndër gjërat që më së shumti ja kom parë “hajrin” fakultetit, kanë qenë bursat, të cilat mi kanë përmbushur nevojat financiare për me e ble kamerën e parë (edhe me i ba’ prindërit krenarë me mesataren e çikës haha), gja të cilën e dijmë të gjithë që s’kushton pak. Kjo mundem të them se ka qenë hendeku ma i madh shtytës që e kam kalu drejt rrugës së fotografisë. Po hapat e parë kanë qenë n’kohërat e aparateve me film, ku i shkrepja nëpër rrugë e përfundojsha me do t’bërtitme”, tregon mes të qeshurave Fjolla.

Fotografja 23 vjeçare tanimë ka pasur punët e saja të ekspozuara në shumë ekspozita, si kombëtare e ndërkombëtare, e po ashtu u shpërblye me çmime të ndryshme në konkurse e gara të shumta të fotografisë.

Ndër eksperiencat e saj fotografike veçon projektin, “Vajzat e fuqishme të Ballkanit” të organizuar nga BE dhe qendra “Artpolis” në Prishtinë, ku ishte mentorja përfaqësuese e Kosovës në trajnimin disa mujor të vajzave të reja të cilat kanë qenë fillestare në fushën e fotografisë. 

Ajo ishte fituese e vendit të tretë në garën nacionale të Shqipërisë me emrin “Colours of Albania” e organizuar dhe kuruar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, po ashtu fituese e vendit të dytë në “Green Art Festival” dhe shumë herë finaliste në garën e fotografisë Kundër Korrupsionit nga KDI, Eko Kosova. Ajo së fundmi ka qenë pjesëmarrësja më e re në moshë në ekspozitën e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Fokus”.

Fjolla Besimi: Për të ecur nuk të duhen një batalion këpucësh por vetëm  një apo dy palë të forta

Në kalendarin e Fjolla Besimit, zor që gjen një ditë të  pashënuar me aktivitet për fotografinë.  Ajo gjatë këtij viti ka krijuar edhe projektin e saj më të rëndësishëm të titulluar “The balcony of thorns” (Ballkoni i gjembave). Përmes fotografive të shkrepura në Kishnicë, përmes një personazhi të vetëm që shpesh duket si joreal, ajo paraqet një rrugë të përballjes me ankth, ëndrra e frikë. Për ta sjellë në këtë format këtë fotosesion, Besimit i ishte dashur një vit kohë.

“The Balcony of thorns”

Përkundër se fotografia e saj është dëshmuar edhe me çmime, e gjithë kërkesave për t’i memorizuar momentet më të mira të atyre që ia kërkojnë, ajo për KultPlus thotë se akoma e cilëson veten në hapat e parë të saj pasi që çdo hap i ri, ia dëshmon që ka edhe shumë të tjerë për t’i kaluar. Për ta ndjekur ëndrrën e vetme, e jo dhe me shumë përkrahje, Besimi thotë se të ecësh në rrugë nuk të duhet një batalion këpucësh, por vetëm një palë apo dy të forta që i besojnë këmbënguljes tënde.

“Kam pasë njerëz që më kanë përkrahë e vlerësu prej fillimeve të mia, e që ju jam më shumë se falënderuese. Por ka pasë ditë që m’kanë vra kambët shpesh, kam ecur edhe zbathur ndonjëherë gjatë rrugës, gja që ka bo që unë me e vlerësu veten dhe punën time, e që tash t’vrapoj”, kështu e përshkruan rrugëtimin e saj fotografja.

Fjolla Besimi është nga ato fotografet që beson se sado e saktë që është teknika në fotografi, nëse nuk arrin të përçojë ndjenjë mbetet vetëm një shkrepje. Inspirimin, ajo e sheh si paketë brenda secilit, e cila mbushet vazhdimisht nga ato që i has çdo ditë, si të tilla të palosura në sirtarin e mendjes janë në kërkim të momentit e shkëndijave.

“Mundem me thanë se ndër përbërësit kryesorë të puzzle-ve t’mija kanë qenë vendet, ngjarjet dhe njerëzit( njerëzit e afërt, artistët e fotografisë, kalimtarët e rrugës e të tjerë), ndaj edhe fotografoj për ta, për njerëzit, me njerëzit”, thotë Fjolla.

Fotografitë e Fjolla Besimit karakterizohen me detaje.

Ai që e shikon fotografinë e saj nuk i nevojitet dhe shumë përpjekje për t’i kërkuar ato. Besimi i sjellë afër, kështu ua shton më tepër rëndësinë. Në këtë formë, ato nuk shpalosin rëndësinë e një ceremonie, por rëndësinë e momenteve që lidhen me atë ceremoni. Ajo për KultPlus thotë se është e bindur se detajet janë përbërësit kyç të cilët e ndërtojnë jetën, e ndihet e lumtur që puna e saj është bërë e identifikueshme falë tyre. Shpesh duket sikur fotografitë e saj i tregojnë njerëzit e kohës së sotme në një kohë tjetër, pasi që pamjet e saj u ngjasojnë pamjeve të ngrira në shekullin e kaluar, që shpesh janë parë përmes një ekrani me ngjyra më të zbehta. Atë frymë, fotografja Besimi e sheh si një thesar që nuk duhet tretur në modernizmin e ditëve të sotme.

“Kam shumë simpati ndaj viteve 30-ta deri 90-ta, andaj edhe stili im rrnon në frymën e fotografisë filmike/kinematike e sidomos e përshtatur me pamjet dhe ngjyrimet e këtyre viteve. Duke shtuar ngjyrat, grain-in, veshjet, mundohem të jem sa ma afër kësaj fryme që e shoh si thesar që nuk duhet tretur në modernizmin e egër të ditëve të sotit (t’mos harroj me cekë se asht komplet çështje shijesh haha). Por jam e lumtur që kam pas vetes një ushtri të njerëzve që mendojnë si unë e ndihen si unë kundrejt kësaj teme”, tha ndër të tjera Fjolla për KultPlus.

“Të ndezësh me ngjyra të shuara”

Atë gjithnjë e ka tërhequr spektri i ngjyrave të shuara, ndaj fjalia “të ndezësh me ngjyra të shuara”, mbetet ndër fjalitë ma frymëzuese që ka përcjellë fotografinë e saj. Përkundër atyre që i shohin si ngjyra fort të errëta e të vdekura, për fotografen ky spektër për të përfaqëson ngjyrat që të pushojnë sytë.

Në fotografitë e saj, natyra zë një pjesë të madhe të saj por ajo kurrë nuk vjen si tërësi, në fokus të saj ka personazhe që ndërveprojnë me të a me njëri-tjetrin. Ky ndërveprim thotë se e reflekton emocionin të cilin Besimi përmes fotografisë e trason tek të tjerët. Shpesh këto personazhe i paraqet edhe në monumentet e vjetra dhe këtë e sheh si mënyrë për të rizgjuar një pjesë të historisë apo jetës që dikur ka ekzistuar në atë objekt.

“Thanë t’drejtën fotografia e natyrës, pa njerëz në to, prezanton llojin e fotografisë që zgjon në mua më së paku interesim. Kështu kur njerëzit bashkëpunojnë me hapësinen rreth tyre, ajo merr kuptim dhe koncepti ndërthuret në emocion, kështu vjen tek unë, e përmes fotografisë time mundohem ta shpreh tek të tjerët. Gjithmonë kam pasë simpati për monumentet e vjetra, hapsinat e braktisuna, vendet e harruara, këto të fundit kanë qenë një pikë frymëzuese”, tregon tutje Fjolla.

Fotografi e frymëzim fjalësh

Thonë se “Fotografia flet sa 1000 fjalë”, por Fjolla Besimi shpesh zgjedh që të mos komunikojë vetëm përmes fotografisë. Asaj i shton mesazhe e fjalë poetike që lidhën me të.

“Sado që fotografinë e kam udhërrëfyese t’shpirtit, poezia m’ka përkujtu shumë shpesh emrat rrugëve”, e kam shkru këtë në një postimin e një poezije ditë më parë e mu kujtu tash, që mendoj e perputhë pyetjen tande shumë. Poezitë edhe shkrimet m’kanë shoqëru qysh e vogël, e kështu shkrimet e shkurta që shumë shpesh ua bashkangjes fotografive, burojnë prej energjisë që ma japin ata njerëz, e sidomos kur fotografoj dashninë, çiftet, inspirohem shumë. Ndihem me fat që fotografoj dashninë edhe shpeshherë ajo lë vend dhe për disa vargje për me e kompletu atë”, shpjegon Fjolla.

Për këdo që i futet fushës së fotografisë dhe nuk ka guximin e mjaftueshëm për të shprehur veçantitë si ato të Fjollës, Fjolla Besimi ka një mesazh.

“Me qenë vetja dhe me punu shumë”, s’mendoj që një artist i ri ka nevojë për më shumë këshillë se kaq .Puna i hapë shtigjet rrugëve që janë shkruar të vijnë tek ti”, tha krejt në fund Fjolla Besimi. / KultPlus.com

Të ngjajshme