‘Flatrat që ndryshojnë botën’- Kolonia e Parë e Artit për Fëmijë nis edicionin e parë me 54 krijime artistike

1 Qershor, 2025 - 9:54 pm

Në ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, është hapur ekspozita “Flatrat që ndryshojnë botën”, e cila është pjesë e edicionit të parë të kolonisë artistike unike, e organizuar nga Fondacioni AKILI, shkruan KultPlus.

Punimet e 54 fëmijëve që shpërfaqnin botën dhe imagjinatën e tyre janë krijuar përmes pikturës, lojës dhe përjetimit të përbashkët sot me rastin e ditës së tyre ndërkombëtare. Dielli, Hëna, Yjet, Qielli, Lulet, Pranvera, Deti dhe Malet janë motivet të cilat i karakterizojnë pikturat e realizuara nga duart e arta të vogëlushëve simpatikë.

Moderuesja e ekspozitës, Vlora Merovci, ka thënë se kjo ngjarje paraqet një hapësirë frymëzuese në të cilën lirshëm është shprehur imagjinata e tyre e fuqishme.

“Kjo ngjarje është menduar si një hapësirë frymëzuese, ku fëmijët shprehin ëndërrat dhe imagjinatën, dhe fuqinë e tyre përmes pikturave, për ta bërë botën një vend më të mirë, ashtu siç vetëm ata dijnë” ka thënë moderuesja Merovci, aura e së cilës karakterizohet nga një pozitivitet i jashtëzakonshëm.

Ndërkaq, Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, pasi ka falënderuar organizatoren Safa Boja- Dashevci për një iniciativë të tillë, duke e quajtur ikonë të prindërimit të suksesshëm, fëmijëve iu ka ndarë mirënjohje për punën e tyre krijuese.

“Si kurrë më parë sot jam jashtëzakonisht e lumtur që tanimë ekspozitat nuk janë vetëm të Akilit, por edhe të shokëve të tij. Falë punës, përkushtimit dhe përgjegjësisë së një zonje si Safa, e cila nuk u ndal kurrë së punuari për ta prezantuar artin si një prej formave më të mira të ngritjes së vetëdijes së shoqërisë prishtinase për rolin e gjithëpërfshirjes në komunitetin e artit”, ka thënë drejtoresha Halimi.

Tutje, drejtoresha Halimi ka bërë thirrje që prindërit si Safa, dhe fëmijët e rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm si Akili, të prijnë në raste ku arti bëhet identiteti i të menduarit, vepruarit dhe ndryshimit të gjithë shoqërisë.

“Jam e vetëdijshme që jo vetëm sot në ditën ndërkombëtare të tyre, janë edhe 364 ditë të tjera, ku në fakt ata duhet të përfshihen në të gjitha planifikimet dhe zbatimet e politikave dhe të aktiviteteve tona. Si kurrë më parë, në Drejtorinë e Kulturës ne kemi përfshirë fëmijët për të kuruar programin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, prandaj është shumë e rëndësishme që fëmijët tanë mos të izolohen vetëm në ditë të cakuara por thjeshtë të jenë pjesë përbërëse e vendimarrjes, pasi në këtë mënyrë iu ushejmë dhe iu fryëzojmë lidershipin që të na prijnë në ditët në vijim”, ka thënë Halimi.

Ndërsa, Safa Boja- Dshevci, themeluese e fondacionit AKILI ka thënë se dita e sotme për të ka qenë shumë emocionuese, pasi kanë arritur të realizojnë një koloni, që sipas saj i ka munguar lagjes së pikorëve.

“Sot ishte një ditë me shumë punë dhe aktivitete. Ka qenë një ditë shumë emocionuese sepse kemi pasur një ekspozitë të fëmijëve të moshave të ndryshme, duke dilluar nga parashkollorët, shkollarët dhe të rinjt. Pjesëmarrës kanë qenë 54 fëmijë, të gjithë kanë marrë certifikata, të gjihë kanë bërë punime shumë të bukura, dhe të gjithë i kanë marrë punimet dhe certifikatat nga fondacioni AKILI. Pikturat janë realizuar sot, hapja për punime është bërë ora 11:00. Në këtë kohë të gjithë kanë filluar të punojnë për rreth një apo një orë e gjysmë. Kjo koloni e fëmijëve dhe të rinjëve do të bëhet tradicionale. Çdo vit do të organizohen koloni të tilla, të cilat mendoj se i kanë munguar lagjes së artistëve”, ka thënë Dashevci, duke e potencuar edhe qëllimin e fondacionit AKILI.

“Fondacioni Akili ka për qëllim vetëdijesimin përkrahjen në komunitet të personave disleksik. Për këtë arsye është hapur edhe fondacioni AKILI. Në kuadër të fondacionit Akili është realizuar kjo ekspozitë. Jo rastësisht është quajtur “Flatrat që ndryshojnë botën”, flatrat në pamje janë të vogla por bartin në veten e vet një dallgë të fuqishme që ndryshon shoqërinë, artin dhe komunitetin”, ka përfunduar Dashevci.

Kurse, kuratori Anton Krasniqi ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë.

“Të nderuar prind, të nderuar yje të së ardhmes, ju fëmijë, që na keni bërë krenarë. Gjatë kësaj kolonike kemi sjellë këtë ekspozitë kaq të mrekullueshme. Urime paçi shëndet e shumë suksese!”, ka thënë ai.

Pas hapjes së ekspozitës, fëmijëve iu janë ndarë edhe mirënjohje për punën dhe krijimet e tyre artistike. Dhe krejt në fund prindërit dhe fëmijët patën mundësi të bisedojnë dhe të argëtohen në një koktej rasti.

Të ngjajshme