Fotografi i mirënjohur tregon sesi priti 12 ditë për një foto të Enver Hoxhës

13 Shtator, 2019 - 5:01 pm

Fotografi i mirënjohur Petrit Kumi, në një rrëfim për rrugëtimin e tij si fotograf, kontributin e tij të gjatë tek revista Ylli, bashkëpunimin e tij me intelektualët e shquar si Ismail Kadare dhe Dhimiter Shuteriqi, si dhe për foton e fundit të Enver Hoxhës, kur gjendja e rënduar shëndetësore e diktatorit mbahej sekret për publikun.

Personi që ka lënë gjurmë shumë të rëndësishme në historinë e fotografisë shqiptare para viteve të 90-ta, ishte në qendër të dokumentarit të gazetares Genta Popa Prodani, që u transmetua të dielën në mbrëmje në ciklin “Exclusive”, ne Top Channel.

Petrit Kumi, mjeshtri me një karrierë gjysmëshekullore në fotografinë e shtypit, është sot i fundmi i një plejade fotografësh shqiptarë që ruan ende emocionet dhe sfidat e një kohe tjetër të fotografisë, krejt e ndryshme nga kjo e sotmja. Atëherë asgjë nuk ishte digjitale, e çastit. Përkundrazi, rezultati i shkrepjes së kerkuar vinte pas orëve të tera pritjeje në dhomën e errët.

“Puna krijuese në dhomën e errët- kujton Petrit Kumi, zhvillimi i negativeve dhe fotografisë nëpër bacinela do të mbetet për mua një kujtim i përhershëm gjatë gjithë karrierës sime në fotografi, një përvojë e jashtëzakonshme dhe e papërsëriteshme, unike në llojin e vet. Kam qenë pjesë e atij grupi krijuesish të fotografisë shqiptare që i dha jetë artit fotografik në ato vite duke e zhvilluar atë brenda mundësive që kishim. Nëpermjet kësaj përvoje jam njohur me fotografinë e vërtetë si shkencë dhe si art“.

Mbi të gjitha, ishte koha kur arti i fotografisë ashtu si dhe të gjitha artet e tjera në vend, zhvillohej krejt në kushtet e një lirie te cunguar, që kufizonte frymëzimet e bukura dhe të natyrshme te shpirtrave të lirë artistik, për ti ndrydhur ato në thellësitë më të mëdha të ndërgjegjes, për një kohë të gjatë. Aq sa jeta e një njeriu të mos mjaftojë për t’i rinxjerrë më prej andej.

Në dokumentarin ”Petrit Kumi, fotografi në kohën e diktaturës” mjeshtri i mirënjohur shpreh keqardhjen që nuk është fotograf në këtë kohë, kur edhe me një celular, siç thotë ai, mund të bësh gjëra shumë të mira. ”Rëndësi ka ideja dhe mendimi i qartë për atë që dëshiron të bësh. Sot nuk ke nevojë të pyesesh sekretarin e partisë për të bërë një foto, e ke në rrugë motivin, rrëmbeje dhe nxirre në foto”

Petrit Kumi rrëfen për Exclusive se si u bë fotograf në kushtet e mungesës së një shkolle të mirëfilltë të këtij zhanri në Shqipëri dhe të mjeteve të nevojshme për të zhvilluar fotografinë moderne shqiptare. ”Ishte një kohë shumë e vështirë, ku mungonte baza materiale që unë ta zhvilloja fotografinë sipas kërkesave që kisha”

Me një karrierë gati gjysmë shekullore në fotografinë e shtypit, Petrit Kumi kujton se në vitin 1952, fitoi çmim në konkursin ndërkombëtar të fotografisë së shtypit në Moskë. Në vazhdën e viteve 50 ai u bë pjesë e fotografëve që punuan në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, ku realizoi shumë fotografi të personaliteteve të rëndësishme që vizituan atëkohë Shqipërinë, përfshi Nikita Hrushovin, kryetarin e Bashkimit Sovjetik, aleatit më të madh të regjimit të kohës. Mjeshtri Petrit Kumi u identifikua më pas me Revisten Ylli, të vetmen revistë social-kulturore të kohës së diktaturës, ku punoi si fotograf dhe fotoreporter për disa dekada. Në qendër të fotove të tij ishin më së shumti njerëzit e thjeshtë në përditshmërinë e tyre. Por dimensioni i tyre artistik i bënte ato shumë të pëlqyeshme për publikun.

Ndërsa shkrepte foto në cdo cep të Shqipërisë së kohës, ai vazhdimisht kërkonte të thellohej në debate të rëndësishme për fotografinë të cilat i gjente të trajtuara sidomos në ndonjë revistë të huaj që arrinte ti binte në dorë. Ku fillon piktura e ku mbaron fotografia? Apo anasjelltas.

Petrit Kumi bisedonte shpesh për fotografinë me intelektualët e shquar të kohës si Ismail Kadare e Dhimitër Shuteriqi, dhe mbi vargjet e tyre shkrepte fotot e tij.

”Unë përfitoja shumë nga kultura dhe informacioni që ata kishin për fotografinë – thotë Kumi, dhe një javë shkoja tek Kadare, e javën tjetër tek Dhimitër Shuteriqi. Nuk i ndahesha unë atyre. Ende sot ruaj një letër të Dhimir Shuteriqit me komentet e tij mbi fotografine. Ai ishte i madhërishëm në informacionet që kishte edhe në këtë fushë”.

Kumi komenton në “Exclusive” një fotografi të shkrepur prej tij gati 30 vjet më parë ku skulptori i mirënjohur Kristaq Rama bisedon me të birin Edi Ramen, atëhërë pedagog në Akademi e Arteve dhe sot kryeminister i vendit.

”Kjo foto – tregon Kumi, është bërë në vazhdën e ndjekjes që unë i bëja figurave që i vlerësoja, në këtë rast sidomos të Kristaq Ramës, që ishte një skulptor i shquar. Ndërsa Edi atëherë ishte shumë popullor dhe bënim shumë biseda së bashku”.

Sa herë që në familjen Hoxha nevojiteshin fotografi artistike, do të thirrej Petrit Kumi. “Ai kishte këtë aftësinë e fotografit artist”- thotë fotografi Roland Tasho. Petrit Kumi rrëfen në “Exclusive” se si arriti të realizojë foton e fundit të Enver Hoxhës, ne kushtet kur gjendja shëndetësore e Hoxhës ishte shumë e rënduar dhe mbahej sekret për publikun.

Mjeshtri Kumi nuk e harron se, kur e morën për herë të fundit për të fotografuar Enver Hoxhën, ka pritur 12 -13 ditë aty, në atë dhomën që kishte krijuar për realizimin e fotos.

“Mesa duket ai refuzonte ose ishte i pamundur nga pikëpamja shëndetësore. Të shtëpisë më thonin, ja tani do e bëjmë, e kur shkonte ora dy më thonin, hajde nesër. E kështu shkoi dita ditës. Kur erdhi ajo ditë, dita e 12. Ai erdhi u ul aty, e ishte shumë i kontraktuar. Bëra shumë shkrepje por vetëm e para ishte më e pranueshme, është ajo që është botuar në revistë”

Duke ju referuar periudhës që ai fotografoi në disa dekada, Petrit Kumi e di se kishte plot anë të tjera të realitetit shqiptar të cilat ai nuk mund ti fotografonte, pasi si thotë Kumi, kjo binte ndesh me politikën e kohës.

“P.sh, unë nuk kam fotografi në radhët e njerëzve që prisnin të merrnin vajguri, apo të atyre që mbanin radhë për të marrë bukën, nuk kisha interes të nxirrja shishet e qumështit apo radhët e mëdha. Kjo binte në kundërshti edhe me idetë e partisë, e ja ku del politizimi, dhe mund të gjobiteshe”. Ndaj dhe shumecka qe lidhet me anet me te erreta te nje realiteti te dukshem e te padukshem te asaj kohe, do te mbetet e fiksuar vetem ne memorien e disa brezave, qe u privuan te deshmojne lirisht kohen e tyre, me te gjitha anet e saj./gazetaexpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme