займ на карту онлайн потребительский кредит

Fotografi italian shpalosi mbrëmë dy periudha të ndryshme të Kosovës, përmes një ekspozite

6 Dhjetor, 2019 - 10:26 am

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, mbrëmë ka zënë vend ekspozita fotografike e titulluar “Kosovo-thin ice” e fotografit të njohur italian, Riccardo Venturi.

Kjo ekspozitë shpalosi para të pranishmëve situata gjatë luftës në Kosovë, në vitet 98-99 dhe gjithashtu situata e ditëve të sotme, pas njëzet vjetësh. Kjo cilësohet si një mundësi e mirë për të treguar përmes gjuhës së fotografisë historinë e kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.

Pasi të pranishmit u njoftuan me punën e artistit, erdhi koha që me një fjalë rasti, hapjen e kësaj ekspozite ta bëjë ambasadori italian në Kosovë Piero Cristoforo Sardi. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje dhe tha se ndihet shumë i nderuar që e kishin mundësinë të prezantojnë veprat e fotografit Venturi.

Ai ekspozitën “Kosovo-thin ice” e cilësoi si një hap të mirë dhe një evolucion pozitiv që ka ndodhur gjatë këtyre njëzet viteve në Kosovë.

“Kuptimi që gjetëm në këtë ekspozitë është se së pari këtu shohim diferencën e fotografive në dy periudha të ndryshme të Kosovës, periudhën e luftës dhe periudhën e 20 viteve pas saj, që është një evolucion pozitiv për Kosovën. E dyta, konflikti që filloi në vitet ’90 ka prekur njerëz të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, por tash e shohim si të panevojshëm, sepse e ardhmja e popullit dhe gjeneratat e reja nuk duhen të ndikohen nga kjo”, ka thënë ambasadori, Sardi.

Ndërsa fotografi Riccardo Venturi, në hapje të ekspozitës përveç falënderimeve nuk është zgjatur më shumë.

Por, ai për KultPlus ka treguar eksperiencën e tij gjatë këtyre vizitave në vendin tonë.

 “Për herë të parë në Kosovë kam ardhur në vitin 1998, kohë lufte dhe tension i madh dhe ka qenë e vështirë për mua si gazetar atëherë, sepse nuk na lejonin të hynim nëpër fshatra dhe të shkonim në frontin e parë të luftës, sepse çdo rrugë kishte policë dhe kontrolla të mëdha, puna e gazetarëve në atë kohë ka qenë shumë e vështirë”, ka thënë fotografi, duke treguar tutje se një vit më vonë, më 1999, ka qenë vizita e tij e dytë në Kosovë, ku fillimisht ka vizituar refugjatët në Maqedoni dhe Shqipëri, e menjëherë pas përfundimit të luftës, në qershor ka hyrë në Kosovë  së bashku me refugjatët që ktheheshin. 

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe e rrallë, të cilën jo shumë njerëz e kanë përjetuar. T’i shohësh katër skena në të njëjtën kohë, trupat serbe duke u larguar, trupat e Natos duke hyrë në Kosovë, refugjatët duke u kthyer në vendlindjet e tyre dhe fshatrat duke u djegur, unë e konsideroj të rrallë, sepse njeriut i ndodh shpesh të jetë prezent në një ndodhi, por  shumë rrallë ose fare në katër.”

Fotografi Venturi e ka organizuar këtë ekspozitë në dy pjesë. Në njërën anë kemi fotografi gjatë kohës së luftës dhe menjëherë pas përfundimit të saj, fotografi të qyteteve e fshatrave dhe fotografi të njerëzve. Në anën tjetër kemi fotografi të ditëve të sotme në Kosovë, që mund t’i marrim si një mesazh i shpresës.

Fotografitë bardh e zi janë fotografitë që autori i ka bërë gjatë luftës, pra janë ngjarje të cilat i ka përjetuar si fotograf dhe gazetar i luftës. Ndërsa fotografitë me ngjyra i takojnë periudhës së kthimit të tij në Kosovë, pas 20 vitesh. / KultPlus.com

Të ngjajshme