Fotografi shqiptar, Ilir Çuko pretendent për çmimin prestigjioz

5 Nëntor, 2020 - 10:00 am

Fotografi shqiptar Ilir Çuko përzgjidhet në listën e ngushtë të çmimit prestigjioz “The New East Photo Prize”.

Çuko mbulon çështjet sociale dhe politike, me një theks të veçantë në historitë e emigracionit duke bashkëpunuar me fondacione të ndryshme. Punimi i tij: “Duke filluar nga e para: Nga Donbass në Çernobil ai fokusohet tek miliona njerëz të zhvendosur nga lufta e vazhdueshme në Ukrainën lindore të detyruar të vendosen në fshatrat përreth zonës së përjashtimit në Çernobil.

Fotografi ka lindur në Shqipëri në vitin 1990 dhe është rritur në Athinë, Greqi. Ai punon mes Gjermanisë dhe Greqisë dhe është fokusuar në projekte afatgjata si fotoreporter dhe foto dokumentare.

Punimet e Ilirit janë botuar në Gjermani, Greqi, Angli, Zvicër, Austri, Novergji dhe vende të tjera evropiane. Gjithashtu fotot e tij janë ekspozuar në Universitetin e Plymoth Portland Square duke shënuar fundin e Javës së Refugjatëve 2016 dhe në Berlin në Beloskiy Galerie.

Çmimi është një projekt i fondacionit “Calvert 222” mbështetur nga revista online The Clavert Journal.

“Çmimi synon të zgjerojë perceptimin e Lindjes së Re përmes fotografisë. Në dy edicionet e tij të mëparshme ka pasur mbi 1700 projekte nga 25 vende të Lindjes së Re”, thonë organizatorët.

Fituesi i çmimit do të publikohet në “The Calvert Journal” dhe do të fitojë një çmim prej 1 mijë paund për të krijuar një koleksion të ri të punës së tij. Gjithashtu do të marrë dhe pajisje të fotografisë. Përveç kësaj do të ketë dhe çmimin “Mentorship” që është një bursë e plotë studimi në Spazio Labo Photography për të ndjekur një kurs nga Davide Monteleone dhe Spazio Labo./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme