Fotot e papërsëritshme të Marubit në Milano (VIDEO)

16 Nëntor, 2018 - 11:00 am

170 fotografi të përzgjedhura prej autorëve më të njohur të trashëgimisë fotografike të Muzeut Marubi në Shkodër, do të ekspozohen në ekspozitën “Rituali fotografik”, në Trienalen e Milanos.

Kryeministri Edi Rama shprehet se ky kolazh fotosh do të ekspozohet në Milano, në kuadrin e Vitit të Skënderbeut.

“Mirëmëngjes dhe me këtë kolazh fotosh të papërsëritshme nga Ekspozita ‘Rituali Fotografik i Marubit’ që çelet nesër në Trienalen e Milanos, në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, ju uroj një ditë të mbarë”, thotë Rama.

E iniciuar nga Ambasada e Shqipërisë në Romë, ekspozita organizohet nga Muzeu Marubi në kuadër të kalendarit të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në ambientet e La Triennale di Milano, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, në bashkëpunim me MuFoCo, Museo di Fotografia Contemporanea.

Mes të përditshmes dhe ritualit, imazhet e ekspozitës “Arkiva Marubi. Rituali fotografik e kuruar nga Zef Paci, ruajnë kujtesën e mbi një shekulli jetë. Bëhet fjalë për trashëgiminë fotografike të Muzeut Marubi në Shkodër, i pari muze fotografie, i cili në datat 16 nëntor deri më 9 dhjetor 2018, paraqet në Triennale di Milano, ekspozitën e tij të parë në bashkëpunim me Museo di Fotografia Contemporanea dhe La Triennale.

Për këtë ekspozitë janë përzgjedhur rreth 170 fotografi prej autorëve më të njohur të koleksionit. Imazhet e shfaqura janë shkëputur prej vazhdës së formuar nga fotografët, të yjëzuar prej shkrepjeve të tyre e të shkëputura prej vetë vazhdës së jetës.

Bashkësia e këtyre gjurmëve dhe fragmenteve të jetës të shkëputura nga fluksi i përditshmërisë, ndërton një narracion përmes fotografisë, një rrugëtim përmes vendeve, fytyrave, marrëdhënieve njerëzore që hetojnë ritet e kalimit që në shekuj u fiksuan nga rituali fotografik.

Fotografia si ritual na ka lejuar të gjurmojmë komunitetin e historitë e tij të shumta me dëshirat për t’i dhënë publikut shijen e një realiteti shumëformësh e eklektik./ KultPlus.com

Të ngjajshme