Gani Jakupi vjen me retrospektivën e pasur artistike në Kosovë

27 Tetor, 2017 - 9:53 pm

Artisti Gani Jakupi është më i rrallë në Prishtinë, sesa në Zvicër, në Spanjë apo në Francë. Është rikthyer kësisoj në Kosovë për të sjellë retrospektivën e punëve të tij dhe ndoshta përmbledhjen më të fuqishme të punëve të tij artistike.

Jakupi ka sjellë kësisoj tablotë e ndryshme të aspekteve të ndryshme të punës së tij, në Prishtinë, sonte në hapjen e ekspozitës personale në Monet – Art and Books Gallery.
Gjithandej janë pikturat, vinjetat dhe faqet e romaneve grafike, ilustrimet e ballinave të albumeve muzikore, fotografi intervista, teknikë e ndryshme nga tushi me kallam e deri te akuareli dhe akriliku, shkruan KultPlus.

Hapjen e ekspozitës së Jakupit e bëri shkrimtari Veton Surroi, i cili pati disa fjalë për artistin që jeton tash e disa vite jashtë vendit kur gjithmonë përkujdeset që ta sjellë artin e tij edhe para publikut i cili e flet më së miri gjuhën e tij.

“Kemi këtu në ekspozitë të përfshira punime të ndryshme të Jakupit, që prej Kthimit në Kosovë – ku portretizohet lufta – gjegjësisht ditët e para të pasluftës e deri te një analizë e shumë e gjerë që ai i ka bërë muzikës xhez, por edhe projektit i cili i morri rreth katër vite përgatitje – “Havana USA” ku ai përcjellë rrëfimin e njërit prej komandantëve të revolucionit kuban i cili është amerikan dhe i bashkëngjitet këtij revolucioni” tregon mes tjerash në hapje Veton Surroi.

Krahas ekspozitës dhe punimeve, në hapjen e ekspozitës retrospektive ku vjen shpirti i artistit i përthekuar në forma të ndryshme e përgjatë një periudhe të konsiderueshme pune e shprehje artistike, erdhi edhe libri “Havana USA”, botuar nga Qendra Multimedia, që përmban edhe reportazhin e parë grafik të një autori ballkanik. Reportazhi ka qenë botuar fillimisht në revistën franceze XXI dhe pastaj në shtojcën javore të së përditshmes Koha Ditore.

Artisti Gani Jakupi tregoi se kjo është hera e parë që po përmblidhet në këtë dimension një format i gjerë i veprave të tij personale, e kësisoj madje as Franca, Zvicra e Spanja nuk e kanë parë punën e tij, kaq të përmbledhur dhe të strukturuar brenda një hapësire.

“Ky është në fakt reportazhi i parë grafik nga një autor ballkanik i botuar në gjuhën shqipe, pra është vepra e parë e këtij zhanri, projekti im i ri. Shpresoj që do të vijnë projekte tjera, por që do ta kenë një ide të pikënisjes sikur projekti im” tregoi mes tjerash në hapje Jakupi.

“Është një diapazon shumë i gjerë në këto vepra, këtu janë disa tablo të imazheve të fundit, që janë botu në shqip nga “Koha” dhe ajo është për pasluftën e fundit dhe gazetarinë. Kryesisht tema kryesore janë media dhe ku kam intervistuar shumë personazhe nga Associated Press, Reuters dhe prapavija e tyre është paslufta, pra kur flitet për pasluftën, flitet edhe për luftën. Dy- tri tablo i kam përzgjedhë nga ato këtu, këto janë strikt të lidhur me Kosovën, të tjerat janë më Spanjë, me Kubë, me Algjeri me Brazil e vende të ndryshme. Unë kam përvojë edhe si fotograf edhe pse jam grafist dhe mënyra ime e editimit është vizatimi” ka treguar për KultPlus artisti Gani Jakupi.

Jakupi është edhe muzikant, një personazh i gjithanshëm, një skenarist por edhe një shkrimtar dhe një ilustrues i librave me grafika. Disa prej punëve të tij janë “La derniere image”, “Les amants de Sylvia”, “Matador”, në vitin 2012-të është CD-ja muzikore Aldea dhe dy vite më vonë CD-ja Kismet.
Në vitin 2010-të, në Douai, tablotë nga “Le Roi invisible” të Jakupit janë ekspozuar afër me ato të Henri Matisse. GILI HOXHAJ / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme