“Gardianët e Parajsës” sjell në Bibliotekën Kombëtare realitetet e Koresë Veriore

1 Nëntor, 2019 - 9:00 pm

Fotografi e objekte unike nga jeta dhe përditshmëria e koreanëve të veriut në të gjithë hapat e jetës, janë shpalosur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Realitete të Koresë Veriore janë pjesë e instalacionit fotografik “Gardianët e parajsës, zemrat dhe mendjet në Korenë e Veriut” të regjisorit norvegjez Morten Traavik.

Ekspozita është realizuar në formën e një përjetimi të veçantë për vizitorin, duke i lënë mbresa të freskëta e nganjëherë të papritura nga ajo çka fshihet pas fasadës së kontrolluar të një prej vendeve më të mbyllura në botë.

Përveç hapjes së ekspozitës, u shfaq edhe një film dokumentar i titulluar “Lufta e Artit”.

Për një dekadë, kompania kinematografike norvegjeze e regjisorit Moten Traavik, kanë realizuar projekte të reja dhe inovative brenda Koresë së Veriut.

Regjisori norvegjez tha se ideja e ekspozitës, është të shpërfaqë dromca të jetës nga një vend i largët siç është Koreja.

“E gjithë ideja e ekspozitës është të shfaq disa copëza të jetës në një shtet shumë të largët. Gjithashtu dhe ky version i ekspozitës është i projektuar posaçërisht për Kosovën. Të shohin gjëra me kuptimësi tjetër dhe ta përjetojnë në mënyrën e tyre”, ka thënë Traavik.

Ekspozita “Gardianët e Parajsës” do të qëndrojë e hapur deri më 11 nëntor. /koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme