Gegë Marubi, mjeshtri i fotografisë që dokumentoi historinë

17 Gusht, 2022 - 2:00 pm

“Muaji i Fotografisë” na sjell një imazh të fiksuar në Durrës, nga një prej mjeshtrave shkodranë të fotografisë, siç ishte Gegë Marubi, i biri i Kel Marubit. Fotografia e përzgjedhur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka si subjekt një grup sportdashësish që ndjekin garat e notit, në vitin 1937. Kështu fotografia përveç elementit artistik, mbart dhe vlera dokumentare, duke rrëfyer për ngjarje e personazhe të një kohe të largët.

Gegë Marubi pasi u njoh me fotografinë, që fëmijë, në Dritëshkronjën Marubi, më 1923, shkoi për studime pranë shkollës së Vëllezërve Lumière në Paris. Mbas kthimit më 1927, filloi aktivitetin si fotograf bashkë me të atin. Në fondin e fotografive të tij, realizuar në studio apo jashtë saj, gjejmë pothuajse çdo element të mundshëm që kishte ndikuar në historinë e Shqipërisë. Filloi të aplikojë në Shqipëri fotografinë në teknikën infra të kuqe. Fotografia e tij ndryshon prej të atit përsa i përket mungesës së inskenimit të ngjarjes apo faktit, si edhe prej mënyrës së ndriçimit me një kontrast më të madh ku merr forcë drita anësore, disi më kinematografike. Kryesisht fotograf i studios, ai punoi me kërkesë edhe si reporter ngjarjesh të rëndësishme për vendin, si dhe si një dokumentues monumentesh e objektesh të moçme në projekte të ndryshme.

Më 1937 studioja e tij mori medaljen e artë në Fiera del Levante, në Bari. Në vitin 1952 studioja e Marubit kaloi si studio shtetërore nën Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve.

Më 1970, Gegë Marubi i dhuroi shtetit arkivën fotografike të familjes dhe u emërua përgjegjës i saj. Në fototekë u mor me regjistrimin dhe arkivimin e fondit. La si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 51.000 negativë të përmasave të ndryshme në xham dhe në celuloid. /atsh / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme