Gjergj Kola: Në Shqipëri nuk vlerësohen artistët e vërtetë

7 Shtator, 2021 - 7:58 pm

Jeta e tij është e lidhur tërësisht me artin. Për të, të qenit piktor është më shumë se dhunti, më shumë se një profesion, është arti i formëzimit të së bukurës, natyrës, njerëzores, në një tablo. Tepër modest për emrin që ka krijuar nëpër botë, Gjergj Kola është ndër piktorët më të talentuar shqiptarë. Kush e njeh atë dhe punën e tij nuk ngre dyshime për këtë fakt.

Emigroi në Greqi në vitet 90-të pa e ditur se ditë pas dite do të mund të bashkëjetonte me pasionin e tij, pikturën. Me pak fat e shumë këmbëngulje arriti të merrte punët e para në Greqi, e Itali, deri sa talenti i tij spikati dhe u vlerësua së tepërmi në mbarë botën. Sot jeton me familjen në Trentin, Riva del Garda, Itali, ndërsa puna dhe emri i tij ekspozohet në muzeumet më të famshëm të botës. Muzeu i Louvrit në Paris mban të ekspozuara pikturat e tij, ndërsa emra të njohur të botës së artit e politikës koleksionojnë pikturat e Kolës. Numëron mbi 160 ekspozita vetjake e kolektive; arti i tij kanë zënë vend në Galerinë Skryptir në Londër në Cassa Batlo në Barcelonë, në Universitetin e Bristol USA, në Art Museum Ny USA në Cikago, Toronto, Moske, e në shumë hapësira të tjera, ekspozohet një pjesë e konsiderushme e punës së Gjergj Kolës. Arti i tij karakterizohet nga thjeshtësia, ia dedikon vetë njeriut, duke e quajtur krijesën më të bukur të nënës natyrë. Në intervistën e mëposhtme Gjergj Kola na rrëfen më shumë për veten, familjen dhe pasionin e tij.

Z.Kola, sa vite u bënë që jeni larguar nga Shqipëria, dhe sa i vështirë ishte depërtimi në zhanrin e pikturës për një emigrant shqiptar?

Në gusht të këtij viti bëhen plot 30 vite që jam larguar nga Shqipëria. Pas shkatërrimit dhe vandalizimit të shkollës së Balldrenit në Lezhë ku punoja si mësues, në verën e vitit 1991 u largova për në Greqi. Fati e solli që të bëja një ndalesë në qytetin e Kozanit. Qysh në ditët e para në këtë qytet vizatimet dhe pikturat e mia më ndihmuan të depërtoj shumë shpejt në jetën kulturore dhe artistike të qytetit. Fillimisht në disa bashkëpunime të vogla me studio arti, galeri, muzeun e qytetit e dalëngadalë me skenografi në teatrin e qytetit, e në vazhdim u zgjerua aktivizimi edhe në qytetet e tjera sidomos në Selanik, dhe Athinë po edhe jashtë në Europë e më larg. Qyteti i Kozanit ku unë nisa karrierën time, ka një kulturë të avancuar muzikore, është vendi i origjinës së muzikantit austriak Fon Karagian, por gjithashtu është edhe vendlindja e skulptorit të popullit Odise Paskali.

Keni emigruar së bashku me familjen. Sa ju ka mbështetur bashkëshortja dhe fëmijët në karrierën tuaj?

Familja është gjithçka për mua, është kolona vertebrale e krijimtarisë sime artistike. Bashkëshortja, Vjollca është diplomuar për histori-gjeografi, por pati mundësinë në Itali të bëj studime plotësuese për artet kontemporane, kështu që e mbështet fuqishëm aktivitetin tim artistik, sidomos përfaqësimet në evente arti në hapësirën ndërkombëtare. Ajo është bashkautorë në librat e ilustruar që kemi botuar dhe ribotuar; “Legjendat shqiptare” në gjashtë gjuhë, shqip, italisht, anglisht, greqisht, rusisht, gjermanisht, dhe “Hypatia e Aleksandrisë “ të botuar e ribotuar në shqip, italisht, greqisht.

Sigurisht që në 30 vite keni realizuar dhjetra tablo, ju kujtohet piktura juaj e parë?

Punët që lindin nga ‘shpirti’ janë më të rëndësishmet në pikëpamjen emocionale, artistike, ndërsa porositë e njerëzve plotësojnë sferën e mbijetesës biologjikë dhe nuk korrespondojnë, janë dy gjëra të ndryshme. Fillimisht në Greqi kam vizatuar bujq në parcelat e duhanit, pijedashës në kafeteri të ndryshme, policë kur na mblidhnin në operacionet diskriminuese “fshesa”, dhe gradualisht mu dha mundësia të vizatoj personazhe të rëndësishme të jetës kulturore, akademike dhe politike në Greqi duke krijuar një bagazh dhe eksperience të rëndësishme të zgjeruar. Kam vizatuar drejtpërdrejt Heroin e Rezistencës greke kundër fashizmit të paharruarin, Manolis Glezos, mik edhe i vendit tonë. Puna ime zuri vend shpejt në Greqi në muzeume, galeri artesh, e koleksionistë të thjeshtë, por edhe të njohur duke më dhënë mundësinë e frymëmarrjes artistike dhe promovimin në nivele ndërkombëtare, fillimisht në vende europiane e në vazhdim edhe më larg.

Çfarë ju frymëzon në artin tuaj?

Magjia universale e natyrës me gjithçka të mrekullueshme të sajën, e në epiqendër njeriun me butësinë, dëlirësinë po edhe me egocentrizmin e pandalshëm të tij, përbëjnë subjektin në tërësi të studimeve, hulumtimeve dhe interpretimeve të mia artistike, i pavarur nga korrentit e modës në labirintet me dritëhije e kontraste të forta të artit.

Shumë nga pikturat tuaja janë ekspozuar në disa nga muzetë dhe galeritë më të njohura në botë. Na rendisni disa prej tyre dhe ndjesitë që keni përjetuar nga ky vlerësim?

Ajo që është më e rëndësishme në pikëpamjen artistike besoj se është fakti që arrita të mbijetoi artistikisht, si të thuash të tregoj dhe të them fjalën time, besoj se bëra të mundur të merret parasysh piktura ime edhe në sallone të rëndësishme ku shihet dhe ekspozohet arti kontemporan botëror në qytete e kryeqytete të rëndësishme të botës duke na dhënë emocione të thella dhe besim për sakrificat e jashtëzakonshme që kemi bërë.

Ju keni realizuar punime për njerëz të famshëm në Shqipëri dhe mbarë botën, na tregoni disa prej këtyre emrave dhe përshtypjet që keni marrë prej tyre?

Për mua njeriu i parë më i rëndësishëm që kam vizatuar dhe pikturuar është nëna ime që më lindi, që vuajti për të më rritur, edukuar e shkolluar. Janë në radhe tre VIP-at e tjerë të familjes time, bashkëshortja Vjollca, me dy fëmijët Iliriana e Sebastian, që më karikojnë shpirtërisht e fizikisht për vazhdimësinë e kësaj rruge magjike e aspak të lehtë. Të gjithë personazhet e tablove që kam realizuar janë miqtë e mi të dashur dhe i përkasin të gjitha shtresave të shoqërisë, fillojnë nga njerëz të thjeshtë si bujq e blegtorë, punëtorë, pacienteë në klinika e spitale, nxënës, studentë, profesorë, akademikë, priftërinj, hoxhallarë, politikanë, ministra e presidentë, shkencëtarë, artistë, stilistë, poet e shkrimtarë, të gjithë miq e dashamirës të artit tim.

Jam i mendimit se kur do të pikturosh një personazh, do të pikturosh historinë dhe veprën e tij, kështu që në pikëpamjen morale është përgjegjësi, kërkohet përqendrim, punë e madhe dhe teknikë. Për shembull nëse ke për të pikturuar një hero duhet të pikturosh heroizmin që ai ka bërë, kur do të interpretosh imazhin e Nënë Terezës duhet të njohësh sakrificat vetëmohuese të jashtëzakonshme të saj që ka shpëtuar mijëra njerëz nga uria dhe mizeria ekstreme; kur do ti referohesh imazhit të Papa Franceskos para së gjithash duhet të dish karakterin, temperamentin, urtësinë, inteligjencën, po edhe humorin e hirësisë së tij… Nëse do të flisnim për disa emra konkretë mund të përmend disa bashkëpunime me stilistët e njohur botërisht ‘Dolce&Gabbana’, shkrimtarin dhe ish ministrin Visar Zhiti, që për mua mbetet më i vërteti, më i spikaturi, më njerëzori shqiptar që kam vizatuar dhe pikturuar shumë herë duke pasur parasysh diskriminimin që i bënë kolegët dhe sistemi; Gavin Tulloch, shkencëtar dhe poet australian me famë botërore, Manolis Glesos, heroi i rezistencës kundër fashizmit, Papa Francesco,Victorio Zgarbi,Silvia Cupini, Baronesha Jiselda Salbu, artistë të shumtë etj.

Është e vështirë të jesh një piktor…Sa kohë ju merr realizimi i një tabloje?

Pas një pune shumë të madhe në teori dhe praktikë fiton një eksperiencë teknike që është e domosdoshme për të bërë të dukshëm emocionin sipas kritereve dhe stilit specifik. Në këtë kuptim ka raste që shprehja emocionale mund të jetë aq e fortë saqë për pak minuta mund të realizohen gjëra të bukura dhe të vështira teknikisht, aq sa mund të mundohesh për shumë kohë dhe mund të mos kesh rezultat.

Sa ekspozita keni hapur deri më sot?

Jam i ekspozuar në shume vende, në katër kontinente. Kemi të regjistruara 160 ekspozita personale dhe kolektive, por sigurisht që janë më shumë se kaq, pasi disa fondacione arti si në në Itali, Greqi, Francë, Norvegji, U.S.A disponojnë koleksione me punimet e mia dhe i ekspozojnë duke mos na informuar rregullisht.

Një tjetër aspekt i veprimtarisë suaj është edhe filantropia që lidhet kryesisht me donacione të ndryshme që keni bërë për individë, galeri e institucione. Pse kjo zgjedhje?

Donacionet janë pjesë e rëndësishme e çdo hapi në jetën time artistike pasi e konsideroj jo si luks, por si domosdoshmëri jetike, për këtë ne dhurojmë vepra për donacione, bamirësi, shtëpi jetimore, spitale, azile të moshuarish, shkolla, universitete si dhe institucione besimi në të gjitha vendet ku jemi ekspozuar.

Çfarë e dallon Gjergj Kolën në punën e tij, një element që e karakterizon artin tuaj në dallim dhe nga piktorët e tjerë?

Unë nuk mundem ti bëj analizë punës sime, as nuk mund të vetëklasifikohem se cilës rryme artistike i përkas. Mendoj se kjo është puna e ekspertëve dhe kritikëve të cilët shpesh herë janë të pabesueshëm në mendimet e tyre. Edhe ato të nivelit të lartë shpesh nuk dakordësohen, gjithsesi kjo nuk përbën problem për vijimin e krijimtarisë së një artisti, por përbën problem për tregun e artit i cili është shumë i ngarkuar me kamuflime dhe ingranazhe të pakontestueshme, dhe të pa adaptueshme nëse me të vërtetë do që të jesh vetvetja.

Në këndvështrimin tuaj sa vlerësohet arti në Shqipëri si nga institucionet ashtu dhe nga qytetarët?

Vendi ynë është një fidanishte intelektualësh dhe talentesh që fatkeqësisht nuk trajtohen mirë nga anomali ekstreme politike në vend, kështu detyrohen të sakrifikojnë shumë në emigrim dhe të japin frutat e talenteve e punës larg vendit tonë. Duhet të këtë një qasje më njerëzore, më konkrete, më të sinqertë dhe jo thjesht disa bashkëpunime që më shumë janë përkëdheli militanteske të disa artistëve apo intelektualeve, që implikohen dukshëm në konjukturat politike.

Si artist që jeni nuk besojmë se mund ti qëndroni indiferentë shumë situatave dhe lajmeve që kanë të bëjnë me artin dhe kulturën në Shqipëri. Një nga ngjarjet më të bujshme që ka ndodhur kohët e fundit ishte dhe vendimi për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës. Shumë artistë u pozicionuan pro e të tjerë kundër. Cili është qëndrimi juaj?

Fatkeqësisht është dëmtuar rëndë një pjesë e madhe e thesarit të trashëgimisë kulturore shqiptare. Në këtë aspekt edhe prishja e godinës së Teatrit Kombëtar është një gabim fatal të cilin e arritën ta bënin me shumë dhunë dhe arrogancë, ata që kanë pushtetin duke demonstruar një mungesë të madhe ndjeshmërie, kulture dhe mirëkuptimi. Duhej të dëgjoheshin ekspertët e ndershëm dhe të përgjegjshëm, duhet të mësojmë përfundimisht nga pasojat e shumta, dhe me dëshpërim dalim tek fjalët e Konicës, Fishtës, apo Nolit, shprehur në veprat e tyre për fatin e Shqipërisë. /konica/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme