Gjurma e rrallë e dorës zbulohet në një varr të lashtë Egjiptian

28 Korrik, 2025 - 4:50 pm

Një gjurmë e rrallë dore njeriu, e datuar mbi 4000 vjet më parë, është zbuluar pranë një varri të lashtë në Egjipt nga studiues britanikë. Gjurma ndodhej mbi një copë qeramike të kuqe dhe do të transportohet në Kembrixh, ku do të bëhet pjesë e një ekspozite kushtuar mjeshtërive të vjetra egjiptiane.

Sipas ekspertëve nga Universiteti i Kembrixhit, kjo gjurmë e plotë dore është lënë nga një individ para se balta të thahej plotësisht, një zbulim mjaft i rrallë për arkeologjinë egjiptiane, përcjellë KultPlus.

“Ne kemi vërejtur gjurmë gishtash të lëna në llak të lagësht ose në një arkivol në dekorim, por është e rrallë dhe emocionuese të gjesh një gjurmë të plotë dore poshtë kësaj shtëpie shpirtërore. Kjo u la nga krijuesi i cili e preku atë para se balta të thahej. Nuk kam parë kurrë më parë një gjurmë dore kaq të plotë në një objekt egjiptian”, – tha Helen Strudwick, kuratore në Muzeun Britanik.

Objekti mendohet të jetë prodhuar midis viteve 2055 dhe 1650 para Krishtit, gjë që e shton rëndësinë dhe vlerën e këtij zbulimi unik.

Qeramika do të jetë pjesë e ekspozitës “Made in Ancient Egypt”, që do të hapet më 3 tetor në Muzeun Fitzwilliam të Universitetit të Kembrixhit. Ekspozita fokusohet në traditat artizanale të Egjiptit të lashtë, ku qeramika e kuqe konsiderohet si një nga materialet më të përhapura.

Këto struktura të njohura si “shtëpi shpirtrash”, zakonisht me dy kate, ishin ndërtuar me korniza druri dhe të mbuluara me argjilë. Ato shërbenin si vendvarrime për të ndjerët dhe kishin një hapësirë të posaçme jashtë, ku vendoseshin ushqime si bukë, barishte apo edhe pjesë të kafshëve.

Ndërsa figurat e njohura historike si Tutankhamuni kanë dominuar vëmendjen e studiuesve dhe publikut, kjo ekspozitë synon të sjellë në pah historinë dhe kontributin e zanatçinjve të panjohur që krijuan këto objekte të mrekullueshme./KultPlus.com

Të ngjajshme