‘Gjurmë dhe strukturë’, ekspozita e Adem Dërmakut shpërfaqë problemet reale përmes absurditetit të artit

7 Nëntor, 2020 - 9:00 pm

Medina Pasoma

Vijat, format dhe ngjyrat e ndryshme u takuan me pikturën në pëlhurë, grafikën dhe vizatimet në ekspozitën “Gjurmë dhe strukturë” të artistit Adem Dërmaku në Zvicër, shkruan KultPlus.

Për Dërmakun ‘’Gjurmë dhe strukturë’’ është ekspozita e 13-të personale, ndërkaq në mënyrë kolektive ai ka prezantuar brendinë e tij nëpërmjet artit për 40 herë radhazi, duke kaluar kufinjtë shqiptarë me stacionime nëpër shumë vende të botës si Gjermani, Austri, Francë, Japoni, Amerikë.

Punën dhe frymëzimet dy vjeçare ai i kurorëzoi duke hapur këtë ekspozitë për syrin e publikut zviceran në Galerinë ‘’Hunziker Areal’’, e cila do të jetë e hapur deri më 14 nëntor. Mirëpo, Dërmaku nuk zgjodhi vetëm një formë të artit pamor por, duke i gërshetuar disa nga to arriti të krijoj një kompozicion të bukur që ka mesazhe të mëdha përbrenda vetes.

Piktura, grafika dhe vizatimi u bënë nikoqire të normales dhe absurditetit jetësor nëpërmjet kësaj ekspozite, duke ardhur me një titull simbolik ‘’Gjurmë dhe strukturë’’.

Artisti Dërmaku duke besuar se arti është gjuha shprehëse e çdo problemi, e veçmas atyre sociale e politike prezantoi 12 veprat e tij artistike.

Dërmaku rrëfeu për KultPlus udhëtimin e këtij rrugëtimi deri te finalizimi i tij, i cili përveç krijues, është edhe kurator i kësaj ekspozite. Ai tregoi se e gjithë krijimtaria e tij është e fokusuar në vizatim, pikturë dhe grafikë dhe se këto i bën prej shumë vitesh.

‘’Këto janë tre teknika ku unë ndjehem mirë t’i realizoj. Punoj në kohë të ndryshme me to, gjysmë viti merrem me vizatim, pastaj diçka nga to transferoj në grafikë e kështu me radhë’’, theksoi artisti Dërmaku.

Për të e rëndësishme mbetet thellimi në gërshetime të ndryshme arti, të cilat nëpërmjet eksperimenteve sjellin fryte të bukura artistike. Kjo është edhe arsyeja pse ai përdor elemente të ndryshme në krijimtarinë e tij.

‘’Prej kohës së studimeve kanë qenë disa rregulla strikte të mësohet vija, forma të ndryshme dhe të dihet vendi se ku duhet të përdoren. Në kohën e fundit mendoj se jam më i liruar në to por, gërshetimi bëhet spontan dhe çdo formë,  çdo vijë ose çka do asocion me një ngjarje’’, shpjegon artisti i ekspozitës ‘’Gjurmë dhe strukturë’’.

Tematikës së mesazheve të tij ai ia kanë vënë emrin ‘’Gjurmë dhe strukturë’’, duke e cilësuar se asgjë nuk humb mirëpo, mbetet përherë diku si dëshmi për të na kujtuar diçka të caktuar.

‘’Simbolika e emërtimit është e thjeshtë ku çdo gjurmë që ndodh në shoqëri e në individ, mbetet e strukturuar apo e vulosur’’, shprehet Dërmaku.

Ademi ka vendosur të dal nga kornizat e frymëzimeve personale dhe subjektiven ta shndërroj në përqendrim të kolektives.

‘’Mua më preokupojnë problemet e shoqërisë sonë, e sidomos ato të cilat i kalojmë vit pas viti, ndryshimet në shoqëri. Në ekspozitë këto thjeshtëzohen dhe shkojnë në një mënyrë pak abstrakte, që nuk janë shumë të definuara, por që ka edhe politikë në ato tema’’, thekson Dërmaku.

Në anën tjetër ai ka ruajtur me kujdes e mallëngjim edhe punimet që nga fëmijëria, kështu duke i cilësuar si vlerë në vete nga ajo periudhë e jetës.

‘’Disa punime skicohen me një stil fëmijëror, i ruaj edhe punimet e shkollës fillore ku gërshetohet një lidhje e punës së mëhershme si fëmijë edhe tash’’, shprehet Adem Dërmaku.

Nëpërmjet vizitës së kësaj ekspozite, artdashësit do të kenë rastin të shohin vepra unikale dhe me mesazhe aktuale./KultPlus.com

Të ngjajshme