GMK mirëpret ekspozitën gjithëpërfshirëse dhe vetjake të Rina Krasniqit

30 Nëntor, 2023 - 2:40 pm

Galeria e Ministrisë së Kulturës do të mirëpres ekspozitën e parë gjithëpërfshirëse dhe vetjake të Rina Krasniqit, të kuruar nga Bardhi Haliti me titull “Vizatime”, më 8 dhjetor në ora 19:00.

Një koleksion i madh vizatimesh në letër të trashësisë dhe madhësive të ndryshme, duke filluar nga letra të prera në formë katrore, ovale apo të parregullt, të shfaqura në tavolina të bëra enkas për ekspozitë, e përbëjnë pjesën kryesore të ekspozitës.

Të gjitha këto vizatime tregojnë për qasjen e ndërlikuar të Rinës ndaj vizatimit, të formësuar nga imagjinata dhe fantazia e përpiktë. Të gjalla dhe duke luajtur qëllimisht me proporcione, këto vizatime shfaqin një idealizëm specifik, duke i dhënë energji punimeve.

Rina përshkruan punën e saj në mënyre poetike si një varg të mikro ngjarjeve të çmuara që plotësojnë hapësirat e zbrazëta mes ngjarjeve madhore jetësore: një keks të cilin e ndan me fëmijën tënd pas një dite të lodhshme, një libër në faqet e të cilit është një kushtim për babain tënd i cili nuk është më mes nesh, një gjellë e bërë me shumë kujdes, një pemë e mbjellur bashkë, një fotografi e vjetër e pluhurosur, apo të takosh një mik të vjetër deri sa je duke pritur në rend në supermarket. / KultPlus.com

Të ngjajshme