займ на карту онлайн потребительский кредит

Gratë që nuk heshtin erdhën mbrëmë në Prishtinë

4 Dhjetor, 2018 - 9:43 am

Arbër Selmani

Femra më koka të mëdha, më të ndezura në ngjyra të flokëve dhe më të zjarrta në sy, afër edhe me skulptura të bardha e me elemente tradicionale, gati sa putheshin afër në hapësirën e bardhë të Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në kryeqytet.

Mjellma Goranci Firzi i solli të parët ndërsa Shqipe Kamberi të dytat, për një ekspozitë e cila u hap mbrëmë në këtë Qendër dhe solli këto dy artiste në një bashkëpunim të radhës, për të formësuar një grua që nëse nuk është shqiptare, është një grua universale, e bukur dhe në heshtje, e mangët dhe e kompletuar, e vrarë dhe e gjallë, e kuqe dhe e gjelbër, me sy dhe pa sy, me vuajtje dhe pa të.

Dy artistet mbrëmë hapën ekspozitën “Klithma e heshtjes së gruas”, në këtë muaj i cili në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë festohet si muaji i gruas kosovare me suksese në art dhe kulturë.
“Sonte po i sjellim dy artiste të cilat janë të suksesshme në artin e tyre dhe janë dy promovuese edhe në diplomacinë kulturore. Meqë në Qendër këtu dhjetorin do ta festojmë si muajin me gratë e suksesshme nga Kosova në art dhe kulturë, sonte po e tregojmë prapë promovimin dhe përkrahjen që kjo Qendër i jep artistëve dhe kulturës në përgjithësi” tha në fjalën e hapjes Vjosa Berisha, kryesuese e EUICC.

Të pranishmit me të hyrë në dy hyrjet e kësaj qendre do të ballafaqoheshin me pikturat dhe me artin e Kamberit dhe Goranci Firzit. Një cikël i njohur i vajzave të hijshme ngjyra-ngjyra dhe kornizat që rrethonin bardhësinë e punës së Kamberit u shikuan nga audienca e cila jo rrallë po provonte të gjente veten në këtë art ose ta dëshifronte atë deri në mundësinë njerëzore.

“Unë dhe Shqipja po bashkëpunojmë për herë të dytë, dhe kjo sepse e trajtojmë temën e figurës së gruas. Shpresoj që të gjithë e kuptoni sonte mesazhin e artit tim: jo dhunës fizike, seksuale, duhet ta luftojmë këtë dukuri dhe duhet ta përkrahim njëri-tjetrin. Shoqëria jonë duhet ta kuptojë që femra duhet të ketë një pozitë më të mirë në shoqëri, për një familje më të shëndoshë” tha në hapjen e ekspozitës Mjellma Goranci Firzi.

Ekspozita e njëjtë ka udhëtuar më disa shtete evropiane, përfshirë këtu Gjermaninë, Holandën, Austrinë e Bullgarinë, për të përçuar të njëjtin mesazh, që figura e femrës të mbetet e shenjtë dhe e pa dhunuar.
“Ekspozita ka nisur në qendrat kryesore të Evropës, për me reflektu mbi këtë dukuri. Shumica jetojmë në familje patriarkale prandaj të gjithë duhet të reflektojmë mbi gruan dhe mbi dhunën” vazhdoi Shqipe Kamberi.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur në këtë Qendër. Sot prej orës 19:00 regjisorja More Raça do të jetë në një bashkëbisedim në këtë qendër, pasi të shfaqet filmi i saj “Ajo”. Nesër, e mërkurë, me fillim prej orës 16:00, gratë e suksesshme kosovare që janë edhe drejtoresha të festivaleve më të rëndësishme dhe institucioneve kulturore më me nam do të bisedojnë rreth diplomacisë kulturore dhe fuqisë së gruas në këtë diplomaci. / KultPlus.com

Të ngjajshme